Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi e ka quajtur mik të madh ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin i cili po dëshmon në Hagë. Krasniqi iu është referuyar thënies së popullit shqiptar “trimi i mirë me shokë shumë”.
“Jo rastësisht, populli ynë thotë: trimi i mirë me shokë shumë. Edhe sot, në një kohë kur bota ka nevojë për të vërtetën dhe historia për qartësi, në Hagë po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut. James Rubin, diplomat dhe patriot amerikan, me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë, po flet në mbrojtje të Presidentit Thaçi dhe shokëve të tij. Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre”, ka shkruar Krasniqi në “facebook”.
Më tej ai shkruan se, “Prandaj, drejtësi dhe vetëm drejtësi, asgjë më shumë nuk kërkon sot asnjë shqiptar anembanë botës. Sepse me SHBA-të në krah, dhe assesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha!”.