Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot takime të ndara me kryesinë e partisë dhe me kolegjiumin e kryetarëve të degëve të PDK-së, ku sipas njoftimit, temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit politike në vend.
Në njoftimin e kësaj partie në Facebook u tha se Krasniqi ka shprehur keqardhjen e tij për humbjen e mundësisë për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces, sipas tij, nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.
Krasniqi ka ripërsëritur se Partia Demokratike e Kosovës e ka dëshmuar seriozitetin e saj për t’i dhënë fund keqqeverisjes aktuale dhe siç thuhet në njoftim, ai është shprehur se PDK-ja vazhdon të jetë e gatshme për cilindo variant që do të mundësonte zgjedhje të parakohshme.
“Deri atëherë, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë zëri më i fuqishëm opozitar në vend. Duke theksuar se Kosovës i duhet një Qeveri kredibile, e përgjegjshme dhe kompetente, që në qendër e vendosë interesin qytetar, Kryetari Krasniqi tha se PDK e ofron alternativën më të mirë për qytetarët e vendit, përmes vizionit dhe programit të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza”, thuhet tutje në njoftim.