Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se me një qeveri të udhëhequr nga PDK-ja, masat sanksionuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të hiqen brenda disa muajve.
Krasniqi ka treguar se ka lobuar personalisht në Bruksel, për të kërkuar heqjen e masave, një detyrë që, sipas tij, Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbushë.
Kreu i PDK-së kritikoi qeverinë aktuale për mungesën e veprimeve konkrete në këtë drejtim.
“Unë sot iu them me bindje të plotë dhe iu zotohem. Më një qeveri të udhëhequr nga PDK-ja për disa muaj do t’i heqim masat sanksionuese. Unë personalisht kam lobuar prej momentit që janë vendos. Nëse zoti (ish-komisionari për zgjerim i BE-së) Varhely ka qenë një ndër njerëzit kryesor që ka vendosur mi shty këto masa tutje, as Kurti as Gërvalla as Bislimi asnjë zyrtar i Qeverisë nuk e ka takuar, me i thënë hiqi.
Vetëm unë e kam takuar. S’ka qenë punë e imja, unë jam në opozitë. Unë jam shkuar në takim, kam qëndruar një orë në zyre të tij. Dhe i kam thënë ndihmona me i heq masat se e keni gabim. Dhe besoj që janë gabim. Dhe jam i bindur që me Komisionin e ri Evropian por edhe ndryshimet në Këshill, PDK do t luajë rolin kryesor për ti hequr masat sanksionuese nga BE-ja”, ka thënë Krasniqi në Debat Plus.