Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me Albin Kurtin, ka thënë se ata po duan të jetojnë në një realitet alternativ edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses.
Në konferencën për media, ai ka theksuar se në takimin e sotëm kryeministri në detyrë Albin Kurti pati një interpretim tjetër nga ai që është në të vërtetë aktgjykimi i publikuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Është shqetësues fakti që Kurti me aq sa e pash në takim kishte interpretim të çuditshëm të aktgjykimit. Ai mendonte se s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë dhe as në mënyrën se si janë mbajtur seancat”, ka thënë Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi, ka thënë se nesër, në seancën konstituive, deputetët që e çojnë dorën për komisionin për votim të fshehtë, bëjnë shkelje kushtetuese me vetëdije.
Sipas tij, seanca e nesërme nuk do të jetë e njëjtë me të tjerat, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Duket që kjo nuk do të ndodhë. Nesër nuk është njësoj sikur tri-katër ditët e kaluara. Deputetët që e çojnë dorën për atë komision do të bëjnë shkelje kushtetuese me vetëdije. Kosova s’mund të ketë shkelës të Kushtetutës. Tendenca për të votuar një komision që është antikushtetues është shkelje në vetvete,” ka deklaruar Krasniqi.