Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë Kurti, Elbert Krasniqi, ishte i ftuari në emisionin DPT te Fidani në ATV, i cili ka folur për aktualitetin politik.
Sa i përket peticionit në veri, Krasniqi e ka vlerësuar tejet të rëndësishme si temë.
“Ishin dorëheqje të njëpasnjëshme. Shteti u mobilizua dhe dha përgjigjen e duhur. Zgjidhja ishte edhe ajo për zgjedhjet e reja. Si institucione nuk do të lejojmë shantazhimin nga Serbia”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi, tha se si kundërpërgjigje ndaj veprimeve në veri, ishte edhe çështja e peticionit.
“Kryetarët e kaluar ishin në zyre me një numër jo të madh të votave. Kemi pasur vazhdimisht protesta për heqjen e tyre. Kështu pamë mundësitë se si një kryetar të largohet nga institucioni”, tha ai.Krasniqi, konfirmoi se “të gjitha komunat në veri tashmë kanë bërë kërkesat formale për largimin e kryetarëve”.
Nënshkrimet për largimin e kryetarëve në veri u mblodhën në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Lista Serbe kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar. Largimi nga institucionet u bë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndërrimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia në ato që lëshohen nga Kosova, por që atëherë kjo çështje është zgjidhur.