Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka hedhur poshtë kritikat e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe të opozitës të cilët thonë se Qeveria po i rrezikon investimet e tyre kapitale në mungesë buxheti. Sipas tij, nuk ka nevojë për rishikim të buxhetit, duke pasur parasysh se komunat ende e kanë qarkoren e parë buxhetore, nga e cila mund t’i kryejnë investimet.
“Komunat e kanë qarkoren e parë buxhetore ku i kanë të gjitha kufijtë dhe ku përcaktohen shumat të cilat i kanë në administrim. Qarkorja e dytë buxhetore faktikisht i përcakton vetëm lëvizjet brenda buxheteve të komunave. Me rëndësi është se jemi brenda afatave kohore dhe deri në fund të muajit shtator ka kohë kur komunat bëjnë propozimet për buxhetin e ri”, ka theksuar ministri Krasniqi në RTK.
Ai tutje ka thënë se nuk dëshiron të merret me kritikat e Asociacionit, por më shumë merret me punën që po e bën Qeveria për t’i mbështetur komunat, teksa ka thënë se vitin tjetër komunat do të kenë rritje të buxhetit.
“Nëse do të diskutojmë shumë për këtë temë po i japim një rëndësi që nuk e ka ky qëndrim i Asociacionit. Vitin e ardhshëm komunat do të kenë një rritje prej 15 përqind, pra do të kenë mbi 635 milionë euro më shumë për investime kapitale në komuna”, ka shtuar ai.