Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përkujtuar 116 civilët të pafajshëm, që u vranë 24 vite më parë, në Studime të Vushtrrisë nga policia dhe ushtria serbe, raporton Scanner.
“Paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët dhe të moshuarit – në planin e tyre për realizimin e gjenocidit në Kosovë”, shkruan Krasniqi.
Postimi i plotë:
24 vite më parë, në Studime të Vushtrrisë nga policia dhe ushtria serbe u vranë dhe u masakruan 116 civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur, burra, gra, djem dhe vajza.
Paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët dhe të moshuarit – në planin e tyre për realizimin e gjenocidit në Kosovë.
Masakra e Studimes, krahas mbi 400 masakrave të tjera të realizuara në të gjithë Kosovën, janë dëshmitë më të fuqishme mbi atë se kush ishte agresori e kush viktima gjatë luftës së vitit 1998/99.
Përkundër kësaj, edhe sot, 24 vite më pas, asnjë nga kriminelët serbë, ekzekutor apo urdhërdhënës, nuk ka dalë para drejtësisë vendore apo ndërkombëtare për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera.
Për familjet e viktimave, ne si qytetarë të Kosovës, për shtetin tonë – një gjë është e sigurtë: këto krime nuk do të vjetrohen asnjëherë dhe ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi!
Liria që gëzojmë sot ka në themele gjakun e mijëra martirëve të vendit tonë.
Lavdi e përjetshme!