Derisa foli për krizën energjetike në vend, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se për këtë çështje, ka folur nga shtatori i vitit të kaluar. “Kishte paralajmërime në Evropë për telashe me energjinë. Kemi dhënë paralajmërime të ndryshme, por totalisht i kanë neglizhuar, duke u tallur e Kurti duke thënë se nuk blihet rryma e të ruhet në frigorifer”, tha Krasniqi.
Ai tha se shtrenjtimit e tarifave të energjisë, ishin përtej çdo pritjeje. “E kemi paditë ZRRE-në dhe e kemi fituar rastet në shkallën e parë dhe Apel e Gjykata Supreme e ktheu, duke i kundërshtuar vendimet e veta”, tha Krasniqi, sipas të cilit, edhe ZRRE-ja i ka kthyer tarifat e vjetra.
“Unë ende nuk e di se çfarë ka ndodhur sepse nuk ka shpjegim e logjikë që për të njëjta tarifa nuk i ka trajtuar si temë gjykata”.
Ai tha se është hera e parë në Qeverinë e Kurtit që ndërpritet rryma në mes të gushtit. “As në vitin 1999, në verë nuk kemi pasur ndërprerje të rrymës, por vetëm dikur në tetor”. Krasniqi u shpreh se faturat e energjisë elektrike në Kosovë janë shumë të larta.
“Këto tarifa nuk i ke askund në rajon. E të kërkosh rritje sërish të tarifave, është t’ua marrësh bukën nga goja familjeve tona”, tha kryetari i PDK-së, duke numëruar edhe rritjen e çmimeve të produkteve të tjera si të ushqimeve, peletit, druve, rrymës, gazit etj.
Sipas tij, është kryeministri Albin Kurti që i rritë çmimet, e jo ZRRE-ja, pasi ata zbatojnë direktivat dhe vendimet e qeverisë dhe vetë Kurtit.