Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj sot ka mbajtur një takim me mësimdhënësit në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë.
Gjatë takimit, Jasharaj ka thënë se greva në arsim do të përfundojë atëherë kur duan mësimdhënësit, pasi që sipas tij nuk është ai personi që vendos për nisjen apo përfundimin e grevës.
Ndër mësimdhënësit që folën në këtë takim, ishte edhe një mësimdhënëse e kësaj shkolle, e cila kërkoi nga Jasharaj që të ndërpres grevën dhe t’i kthehen mësimit.
Jasharaj në anën tjetër ka thënë se duhet të dëgjohet mendimi i shumicës së mësimdhënësve dhe jo vetëm disave.
Por, pas këtij takimi, ka reaguar zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se mësimdhënësja që doli publikisht kundër SBASHK-ut është Rafiqe Hamiti, të cilën Krasniqi e ka cilësuar si “militante të Albin Kurtit”.
“Kjo ishte “mesimdhenesja” qe foli kundër sindikatës. Rafiqe Hamiti, militante e Albin Kurtit. Gjuha fashiste e Elvis Hoxhës, po përcillet me infiltrimet e dhunshme të militantëve t’pushtetit e grevëthyesve servilë t’Kurtit. Ata, sipas udhëzimeve konspiracioniste t’pushtetit, sindikalistët po i quajnë “armiq, o armiq””, ka shkruar Krasniqi.
Në fund, Krasniqi ka thënë se mësimdhënësit kanë duartrokitur sindikatën.
Kujtojmë se në takimin e sotëm të SBASHK-ut në Prishtinë, kreu i kësaj sindikate Rrahman Jasharaj është tentuar të sulmohet nga një pjesëmarrës në takim, por që sulmi është parandaluar nga pjesëmarrësit që ishin prezent aty.