Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka guxim të shkojë në veri.
Sipas Krasniqit, Qeveria Kurti veç se e ka zvogëluar sovranitetin.
“Zoti Kurtin unë e kam ftu në Kuvend i kam thanë hajde shkojmë bashkë ti i pari, unë i dyti, kur dush tash po nisemi ditën natën çfarëdo kohe, nuk ka guxu! U dashtë me i marrë 50 forca speciale për me shku me i shkep 10 minuta ka një bakllave me bo një video e me u kthy. Nuk guxon z.Kurti me hy në veri, çka ka bo është ka ndëmrrë veprime të cilat sot e kanë zvogëlu edhe atë sovranitet që e kemi kriju ne si PDK duke e udhëheq Qeverinë prej vitit 2011 e tutje”, tha Krasniqi.
Ai e ka akuzuar Qeverinë Kurti edhe për nxitjen e dhunës në Kuvend.
Krasniqi tha se skena të tilla nuk e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës, por tha se në të njëjtin vend në të kaluarën është hedhur gaz lotsjellës e janë bërë sulme ndaj ish-kryeministrave.
“Fatkeqësisht, Kuvendi i Kosovës ka parë skena shumë më të rënda e më të vështira sesa kjo, por është i njëjti Kuvend, e njëjta sallë, ku ne kemi përjetuar hedhjen e gazit lotsjellës, sulmet kundër ish-kryeministrave, qeveritarëve, deputetëve, por padyshim se ato nuk e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës”, tha Krasniqi në RTV21.
“Ishte një tendencë dhe një gatishmëri e pakuptimtë, e paarsyeshme, për ta eskaluar situatën dhe është hera e parë që kemi një nxitje drejtpërdrejte nga eksponentët më të lartë të Qeverisë për të pasur dhunë në Kuvend”, deklaroi ai.