Sot shënon 25 vjetori i Masakrës së Rezallës.
Këtë ditë e ka kujtuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shkruan lajmi.net.
“Burim Zabeli, 13 vjeç, po refuzonte t’i ndahej babait të tij, Xhemajlit, i cili kishte probleme me shikim. Dhe ashtu, dorë për dorë, pranë një lisi, kriminelët serbë i pushkatuan të dy”, ka thënë Krasniqi përmes një postimi, duke treguar se trupat e tyre u gjetën disa vite pas vrasjes, në një varr masiv në Serbi.
“98 civilë shqiptarë, të të gjitha moshave, u vranë mizorisht në Rezallë me 5 prill të vitit 1999. Nuk u kursye askush. As fëmijët dhe as të moshuarit”, theksoi ai.
“Edhe për këtë masakër, sikur për shumë të tjera që ka kryer regjimi gjenocidal serb, ende s’kanë dalë para drejtësisë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të vendit tonë, mbi sakrificën e të cilëve qëndron liria dhe pavarësia e Kosovës”, shtoi më tutje Krasniqi.