Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar heroin Bekim Berisha, në përvjetorin e rënies së tij.
Krasniqi përveç Bekim Berishës, ka kujtuar edhe Bedri Shalën, Elton Zherkën dhe Përmet Vulën.
“Ata që e kanë njohur dhe kanë luftuar krah tij – kanë thënë se vlen sa 1 mijë ushtarë. Ndërkaq, për armikun, ai ishte vetë makthi. Bekim Berisha – Abeja, është një nga shqiptarët e rrallë që nuk humbi asnjë mundësi për të luftuar kundër regjimit gjenocidal serb. Në Kroaci, Bosnje e Kosovë – ai ka vetëm një emër dhe një epitet: Hero”.
“25 vite më parë, në betejën e tij t’fundit, atë të Junikut, Abeja i dha Atdheut edhe të vetmen gjë që i kishte mbetur: Jetën e tij. Me bashkëluftëtarët Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula – ata u përjetësuan në altarin e shenjtë të lirisë. Dritë e pashuar mbi qiellin e lirë t’Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.