Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në emisionin “Paradoks” me Vehbi Kajtazin ka krahasuar aferën e njohur “Pronto” të ish-bashkëpartiakut të tij, Adem Grabovci me audio-incizimet e Mimoza Kusari Lilës dhe mesazhet e publikuara të Dejona Mihalit me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.
“Vetëm nëse i kthehemi asaj të famshmes “pronto”, krahasoni me çkado sot, ka pasur muhabete, ka pasur diskutime, ka pasur çështje të cilat nuk u materializuan, nuk janë realizuar dhe nuk e prekën paranë publike. Për çka po flasim sot, për 15 milionë euro të avulluara, duket se kanë shkuar nëpër kontot e zyrtarëve të shërbimit civil. Figurativisht po flasim për thasët me pare të Martin Berishajt, duke qenë ish-këshilltar i Albin Kurtit, anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ambasador i Kosovës”, ka thënë Krasniqi teksa e ka pranuar se ka folur me një deputet të PDK-së, i cili kishte lavdëruar Martin Berishajn.
“Normalisht që po sepse nuk mjafton që t’ia thirresh të kaluarën sepse këtu nuk jemi duke e peshuar aktivitetin që ka mundur ta bëjnë në vitet ’80 dhe ’90, po flasim për kriminalitete të vitit 2020. Nuk mundesh sot që njeriun që është koka e aferave dhe krimeve që ta arsyetosh se ka qenë burrë i mirë. Edhe Kurti u mundua ta arsyetonte duke thënë se është burrë i mirë i Malësisë. Ne po e shohim veprën e tij kriminale, e cila ndërlidhet me Serbinë, nuk po flasim ne për Francë, por edhe për Francë ish dashur ta denoncojmë”, ka thënë kryetari i PDK-së.
Krasniqi ka kritikuar edhe presidenten Vjosa Osmani për mënyrën se si Berishaj mori nënshtetësinë e Kosovës.
“Mirëpo po flasim për njeriun që ka nënshtetësi sllovene, këtu ia dhajnë nënshtetësinë për 24 orë, as presidentja Osmani nuk di të tregojë se si ia ka dhenë atë nënshtetësi, me atë kërkesë me plot gabime drejtshkrimore, një profesor, do të thotë tri fjalë nuk janë pa gabime, pa ia bërë vlerësimin e sigurisë, hala gazetarët nuk na treguan në adresë të kujt është i regjistruar sepse mund të jetë në adresë të ndonjë ministri të kësaj qeverie, pastaj bën biznes në Mal të Zi, Bosnje me kompani të Serbisë. Mbi të gjitha shok i Albin Kurtit”, ka kritikuar Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se Berishaj është njeriu i çantës dhe për këtë ka ofruar një sqarim.
“Martin Berishaj është njeriu i çantës dhe kjo është parë atë ditë kur u zbulua nga mediat në Slloveni. Koha e fushatës i nxjerrë senet e këqija. Si mund t’i arsyetosh nxjerrjen e 1.5 milionë eurove nga kontoja. Afërsia e tij është e evidentuar. Unë nuk mund të them me siguri, por diskutimet e ndryshme që kemi dëgjuar dhe nga hulumtimet në rajon, dyshimet janë ngritur se ato mjete u përdorën për fushatë, dyshimet janë ngritur se Vetëvendosje u financua me ato para”, ka thënë Krasniqi.