Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur për Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, që do të funksionojë në kuadër të këtij subjekti.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka theksuar se do të jetë udhëheqës i këtij kabineti.
“Kabineti i Qeverisjes së Mirë tashmë është formësuar, kemi pasur diskutime të gjata në kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës, me ekspertë afër nesh, por edhe me grupin parlamentar. Kjo është definuar si strukturë, si departamente, si botëkuptim edhe si vizion, që ne do ta prezantojmë se si do ta pasqyrojmë idenë e PDK-së për qeverinë, si do t’i grupojmë dikasteret dhe si do të quhen ato ministri në të ardhmen kur PDK-ja do ta formojë qeverinë”, ka thënë Krasniqi në Rubikon.
Krasniqi ka deklaruar se ky organ do të ketë një sinergji të personaliteteve të ndryshme që, sipas tij, të gjithë janë me potencial.
“I kam menduar tri grupime me njerëz qe janë në PDK për periudha të gjata, pjesa tjetër ka pasur një afërsi me PDK-në, njerëz që i bashkohen për herë të parë kabinetit edhe konceptit tonë për alternativën që do t’ua dhurojmë qytetarëve të Kosovës”.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka pohuar se ata me Kabinetin e Qeverisjes së Mirë kanë synim të japin kontribut për ndryshimin e Kosovës.
“Nuk jemi të interesuar për karrige, ua kemi lënë Albin Kurtit dhe LVV-së. Ne jemi duke e hartuar alternativën për qytetarët e Kosovës për të ardhmen, jam i bindur që njerëzit e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë nuk vijnë për shkak të pushtetit, por janë njerëz që besojmë se mund t’i japin vendit të tyre më shumë”.