Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka mohuar kategorikisht mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke theksuar se mes dy partive nuk ka asnjë pikë të përbashkët që do t’i bashkonte në një qeverisje të mundshme.
Kryetari i PDK-së e bëri të qartë se dallimet mes dy partive janë të thella, si në qasjen politike ashtu edhe në vizionin për të ardhmen.
“Jo nuk shkojmë në koalicion. Pikë. Në asnjë formë. Pikë… nuk bëjmë koalicion me Vetëvendosje sepse nuk na lidh asgjë. Në kuptim as program, e as parimor, e as në kuptimin qysh e shohim të kaluarën, e aq më pak qysh e shohim të ardhmen. Ne nuk kemi pika që na kishin me na bë bashkë”, ka thënë Krasniqi në Debat Plus.
Sipas tij, pavarësisht se LVV ka dalë partia e parë, ajo nuk ka arritur synimet e shpallura nga kryetari i saj, Albin Kurti.
“Mos të harrojmë që megjithatë, sot Lëvizja Vetëvendosje ka një numër shumë të vogël të votave. Duhet me u kthye te fillimi i fushatës. Zoti Kurti ka lyp referendum, zoti ka lyp 500 mijë vota. Zoti Kurti nuk i ka marrë ato vota dhe referendumi i ka dështuar. Se referendumi duhet me i pas 50 plus 1”.
Ai theksoi se pavarësisht se LVV ka dalë e para në zgjedhje, sistemi parlamentar kërkon formimin e një shumice për qeverisje, dhe kjo e bën garën ende të hapur.