Nagip Krasniqi dhe Dejona Mihali kanë zgjedhur heshtjen për bisedat që iu publikuan, e për të cilat u intervistua javë më parë nga Prokuroria Speciale. Ish-kryeshefi i KEK s’është deklaruar, reagim s’ka bërë as Mihali. Në këto biseda shihet se Mihali vendoste kur duhet të ketë rrymë, e ia “redaktonte” edhe komunikatat që Krasniqi lëshonte si Kryeshef i KEK. I kërkonte llogari edhe për raportimet e mediave.
Para më shumë se tri javësh, Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ishte paraqitur në Prokurorinë Speciale për intervistim. Nga kjo prokurori kishin deklaruar se ajo u intervistua në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori ka në hetim, derisa vetë Mihali tha se ishte për intervistim “për të ndihmuar prokurorin në zbardhjen e së vërtetës”.
Atë ditë, mediat raportuan se arsyeja e intervistimit ishin disa komunikime që ajo kishte bërë me ish-Kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin, ndaj të cilit tashmë ka aktakuzë, e të cilat ishin gjetur në telefonin e tij.
Përmbajtja e këtyre bisedave tashmë është bërë publike nga mediat. Në bisedat e publikuara, shihet se Mihali e udhëzon dhe urdhëron vazhdimisht si të veprojë Krasniqin, ndonjëherë ia redakton edhe komunikatat apo ndërhynë në përgjigjet që ai kthente, e madje edhe i kërkonte llogari.
Në një prej bisedave, Mihali merret me çështjen e furnizimit me rrymë, ku i thotë që në dy ditë të caktuara të mos ketë reduktime fare.
“Thirre Ergysin…Sot dhe nesër jetike mos të ketë reduktime fare”, është një prej bisedave.
Personi që i referohet Mihali e i thotë ta kontaktojë Krasniqi duket se është ish-Kryeshefi i Korporatës Elektronergjetike Shqiptare, Ergys Verdho, i cili kishte ushtruar pozitën e Kryeshefit deri në janar të këtij viti, kur kishte dhënë dorëheqje.
Biseda duket se është e gushtit të vitit 2022, kur kishin filluar reduktimet.
Më 14 gusht të vitit 2022, KEDS kishte njoftuar se nga 15 gushti do të fillohej me reduktime, 6 orë me rrymë dhe 2 orë kufizime.
“KEDS njofton që ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 08:00 e të hënës. Këto kufizime, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët. Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime”, thuhej në njoftimin që kishte lëshuar atëherë nga KEDS.
E telefonata me Verdhon duket se kishte kryer punë, meqë pikërisht ditën kur kishin filluar reduktimet, Ministria e Ekonomisë kishte njoftuar se ishte kthyer furnizimi i rregullt me energji falë bashkëpunimit me Korporatën Elektroenergjetike të Shqipërisë.
“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjetike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike. Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim”, thuhej në njoftimin që kishte lëshuar Ministria e Ekonomisë më 15 gusht të vitit 2022.
Përveç punës së reduktimeve, Mihali kishte komunikuar me Krasniqin skandalin energjetik, ku raportohej se ishte përfshirë edhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, shkruan Express.
Në këtë bisedë, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.
Krasniqi ia kthen “pak a shumë është i vërtetë”, duke iu referuar këtij raportimi.
Për këto biseda dhe të tjera që janë publikuar, Gazeta Express ka provuar të marrë një deklaratë nga Krasniqi, por i njëjti s’është deklaruar. Ndonjë reagim nuk ka bërë as Mihali.
Pas publikimit të këtyre bisedave, pasuan reagimet. Lidhja Demokratike e Kosovës doli në konferencë për media dhe kërkoi hetim për mafinë energjetike.
“Jo shumë kohë më parë, VV i cilësonte reagimet tona në lidhje me këtë çeshtje si të pavërteta. Por, sot e pamë në mesazhet e publikuara që qysh atëherë këta vet e kishin pranuar këtë korrupsion. A mund sot të besojë dikush se kryeministri nuk është në dijeni për korrupsionin që po ndodhë perreth tij? Po shihet qartë se diçka e tillë po bëhet çdo ditë më veshtirë e besueshme”, përfundoi Azemi.
Azemi deklaroi se LDK i mbështet organet e Drejtësisë në hetimet e tyre në lidhje me aferat koruptive, dhe se do ta vazhdojnë angazhimin partiak deri sa të gjithë akterët e korruptuar të gjenden para drejtësisë.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se bisedat konfirmojnë përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në dallaveret me rrymë.
“PDK ka qenë këmbëngulëse në themelimin e Komisionit Hetimor për aferat korruptive në fushën e energjisë. Publikimi i komunikimeve të Dejona Mihalit me Nagip Krasniqi konfirmon dhe vërteton të gjitha dyshimet tona që i kemi ngritur gati tre vite më parë. Sot të gjithë e kanë të qartë se GEN-in serb dhe Martinin e kemi dhuratë nga Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Çitaku.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, ka reaguar duke thënë se kur vendimet formale merren nga struktura joformale, sistemi demokratike kollapson.
“Politbyroja e LVV-së është mbi shtetin dhe institucionet. Lideri i saj, përmes instrumenteve parapolitke e ka vënë shtetin në rrezik. Kur vendimet formale merren nga struktura joformale nëpërmes lidhjeve të shkurtëra, sistemi demokratik kollapson!”, ka shkruar Tahiri.
Ndryshe, nga ish-Kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqit, është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale në gusht të këtij viti.
Dyshimet janë se ai kishte filluar të keqpërdorë detyrën zyrtare ende pa i bërë dy javë nga dita kur ishte emëruar në këtë pozitë e deri ditën kur ishte arrestuar, në prill të vitit të kaluar. Sipas aktakuzës, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK’un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
“Duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar respektivisht Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës, shfrytëzon detyrën zyrtare me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” – HSE nga Sllovenia t’ia mundësoi tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës…ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji, me ç’rast të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve ekonomikë konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 euro”, thuhet në aktakuzë.