Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur rezerva të mëdha për draftin-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka bërë me dije se problemet kryesore të këtij dokumenti janë përfshirja e rezolutës 12 44 dhe krijimi i komisionit të arbitrazhit.
Kjo e fundit, sipas Krasniqit, Asociacionin e nxjerr jashtë rregullimit juridik dhe kushtetues të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Krasniqi ka thënë se draft-statuti i Asociacionit nuk do ta kalojë testin në Gjykatës Kushtetuese.
“Është një tekst që vërtetë lenë hapësirë të shumtë për shqetësim. Sepse ne këtu po flasin për një dokument, i cili nëse do të miratohej do ta ndryshonte rregullimin shtetëror të Kosovës. Që nga dita e parë, unë kam thënë se janë dy probleme themelore me draftin, pa dashtë me marrin rolin e ekspertit të drejtës kushtetueses. Përfshirja e Rezolutës 12 44 në preambulë dhe krijimin i një komisioni të arbitrazhit, i cili realisht e nxjerr Asociacionin jashtë rregullimit juridik kushtetues të Kosovës. Nuk besoj se këto do ta kalojnë testin kushtetues”, ka thënë Krasniqi.
I pari i PDK-së ka akuzuar kryeministrin Kurti se për këtë çështje fshihet pas Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka kërkuar që kryeministri Kurti paraprakisht ta jap një përgjigje politike për situatën në të cilën ndodhet Kosova.
Sipas tij, i pari i qeverisë, e ka për obligim të tregojë pse Kosova ka ardhur në këtë pikë.
“Para se të fshihet kryeministri dhe qeveria mbrapa një përgjigje juridike, e kanë obligim që të japin një përgjigje politike. Sepse përgjigjen juridike dhe interpretimin e dokumentit të vërtetë duhet ta bëj Gjykata Kushtetuese, pavarësisht se çka do të thotë. Por, përgjigjen politike duhet ta jep kryeministri, sepse është përgjegjësi e tij. Pse kemi ardhur deri këtu? Pse na imponohet një tekst i tillë sikurse na u imponua marrëveshja bazë, të cilën kryeministri e mbështet dhe e mbron?”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se kryeministri ka ndryshuar qëndrimet e tij rreth Asociacionit.