Profesori universitar Milazim Krasniqi kritikoi me tone të ashpra qasjen e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti ndaj ShBA-së dhe menaxhimin e situatës në veri, duke e përkufizuar atë si “antiamerikanizëm (kronik e kronologjik)” dhe si një “politikë të vetëlëndimit”.
Sipas Krasniqit, Prishtina ka ndjekur një “politikë agresive pa fuqi adekuate” për ta zbatuar pa pasoja për shtetin—diçka që ai e cilëson ose “naivitet” ose “aventurizëm”.
Analiza e Krasniqit:
Antiamerikanizmi (kronik e kronologjik) i Albin Kurtit
(Moto: Kjo nuk është politikë shtetërore, bile as partiake. Kjo mund të quhet politikë e vetëlëndimit, mazohizëm politik.)
Politika agresive, pa e pasur fuqinë adekuate për ta zbatuar deri në fund e pa pasoja për shtetin, është ose naivitet, ose aventurizëm. E tillë ishte politika e Kurtit në veri. Veprimet e pakoordinuara në veri (sidomos vendimi për targat dhe inaugurimin e kryetarëve të komunave) u shfrytëzuan nga Serbia për të shkaktuar krizë zingjirore (barrikadat e serbëve në rrugë, daljen nga institucionet, dorëheqjen e kryetarëve të komunave, sulmin terorrist në Banjskë.) BE- i vendosi masa Kosovës, ndërsa Serbia po luajti rolin e viktimës. Absurd i llojit të vet. Kur e shmangu rrezikun që të sanksionohej për sulmin terrorist në Banjskë, tash Serbia iu rikthye politikës së dhunshme. Mbajtja peng e qindra udhëtarëve dhe arrestimi i policëve mund të jetë vetëm fillimi i një skenari të ri të dhunës që po përgatitet. Kosova duhet të gjejë mënyrë ta shmang skenarin serb të konfliktit, e jo të bjerë në grackë, siç ka ra disa herë gjatë kësaj qeverie. E hidhur për ta thënë, por e vërteta është se qeveria Kurti nuk ka një politikë mirëfilli shtetërore përballë Serbisë. Ndërmerr veprime me efekte elektorale, mandej kur dështon, dështimin e vjetër e mbulon me një dështim të ri. Kjo nuk është politikë shtetërore, bile as partiake. Kjo mund të quhet politikë e vetëlëndimit, mazohizëm politik. (18 prill 2024)