Qe nga nxjerrja e dekretit për shpërndarje të Kuvendit, nga presidentja Vjosa Osmani, ka pasur përplasje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe stafit të presidentes, përderisa VV’ja s’e ka pranuar si të qëndrueshëm vendimin e Osmanit.
Më ndryshe nga kolegët e tij, është deklaruar deputeti nga radhët e VV’së, Nezir Kraki. Ky i fundit ka thënë se ai ‘’mendon që të dyja palët kanë të drejtë’’, dhe se ai pret Gjykatën Kushtetuese, përcjell Express.
‘’Dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ka sens nëse e marrim normën kushtetuese ashtu siç është pa këtë informacionin që e thash pak më herët se Kuvendi aktual nuk i ka pas 60 ditë ekzistencë me konsideru që me 5 mars i konsumoi të 60 ditët, dhe nuk arriti me zgjedh president. Unë mendoj që të dyja palët kanë të drejtë, ne kemi të drejtë edhe presidentja ka të drejtë kur e respekton germën e Kushtetutës. Fakti është i pa mohueshëm se kuvendi aktual nuk e ka pas kohëzgjatjen 60 ditore për me zgjedh Presidentin, dhe këtu unë pres që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim që deputetëve të ua rikthej 36/37 ditët që mungojnë në procesin dy mujor. Logjika kushtetuese sipas meje kështu duhet të jetë’’, ka thënë ai mes tjerash.
Kraki po ashtu ka thënë se ai pret që Gjykata ta ‘’ristartojë’ procesin e zgjedhjes së presidentit, dhe se, në këtë rast sipas tij, nuk mund të fajësohet as kryeministri Albin Kurti, e as, presidentja Osmani, pasi që ky rast është ‘’unik’’.
‘’Unë pres që gjykata ta ristartojë procesin për zgjedhjen e presidentit, dhe, pastaj nëse në fund të atij procesi të ristartum, nëse nuk ka president, atëherë Kuvendi shpërndahet sepse nuk kemi arrite me pas sukses. Por le të dihet që nuk mund ta fajësojmë as kryeministrin Kurti në këtë rast sipas meje, as presidenten Osmani, se as të tjerët që komentojnë, sepse rasti është unik, rasti është i papërjetum ma herët. Në këto pika po e pres Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet ta respektojë edhe frymën e Kushtetutës’’, ka thënë ai mes tjerash.






