Deputeti i Partisë Guxo, Nezir Kraki, ka kritikuar ashpër vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur atë një interpretim politik të normave kushtetuese dhe një ndërhyrje të paprecedentë në përmbajtjen e Kushtetutës.
Kraki thotë se misioni i Kushtetueses nuk është të rishkruajë nenet e Kushtetutës së Kosovës.
“Misioni i Gjykatës Kushtetuese nuk është të rishkruajë nenet e Kushtetutës. Ajo ka për detyrë të garantojë respektimin e tyre, jo t’u shtojë paragrafë që nuk kanë ekzistuar kurrë. Me këtë aktgjykim, është tejkaluar qartazi ky mision”, u shpreh Kraki në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai ka shprehur dyshime mbi pavarësinë e gjyqtarëve të Kushtetueses, duke theksuar se shumica prej tyre janë produkt i një sistemi të vjetër, ku thotë se postet nuk merreshin me meritë, por me ndërvarësi dhe kushtëzime politike.
“Ky aktgjykim sipas meje është një lloj konfirmimi apostori i atij funksionimi se këta janë rezultat shumica e atyre gjyqtarëve janë produkt i atij sistemi që ka qenë dhe kur postet nuk merreshin me meritokraci, por me ndërvarësi dhe me kushtëzime – normalisht që kjo lënë një hapësirë reale dyshimi për pavarësinë dhe qasjen strikto-senso konstitucionaliste të atyre personave që janë aty, veç me u siguru që Kushtetuta me nenet e shkruara shqip nuk po dhunohet, nuk po tjetërsohet”, deklaroi Kraki.
“Në vend që të garantojë funksionimin strikt të Kushtetutës, Gjykata po ndërhyn duke shtuar paragrafe e rregulla që nuk ekzistojnë – si afati 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, tri herë propozimi i kandidatit, apo mënyra e votimit”, tha ai.
Sipas Krakit, këto ndërhyrje nuk i takojnë një gjykate që ka rolin e interpretuesit dhe garantuesit të rendit kushtetues.
Ai nënvizoi se kritika të tilla nuk janë sulm ndaj Gjykatës, por një detyrim për të denoncuar praktika që cenojnë funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve.
“Nuk ka mision Gjykata me ardhë me i shtua nenit 67-të me ia shtua edhe paragrafin e 30-ditëshit me ia shtua edhe një paragraf për tri herë, me ia shtua edhe paragrafët për metodën e votimit, pra nuk e ka këtë tagër kjo Gjykatë. Kur e themi ne këtë, nuk jemi kundër Gjykatës. Por, pavarësisht a na pëlqen apo s’na pëlqen aktgjykimi ne disa të paktën jemi të thirrur edhe opinioni publik pret që të denoncohen praktikat jo normale”, tha ai.