Përderisa qeveria dhe opozita nuk ishin dakord se çfarë masash duhet të ndërmerren për zbutjen e krizës, buxheti i familjeve në Kosovë, i cili ndahej për produktet bazë si mishi, qumështi, djathi, vezët, buka dhe drithërat, vazhdoi të rritej.
Pjesa më e madhe e buxhetit që shkon në ushqim do të thotë më pak para për arsimin, kujdesin shëndetësor dhe aspekte të tjera thelbësore të jetës.
Shpenzimet e buxhetit të ekonomive familjare për shëndetësi në vitin 2022 ishin vetëm 215 euro.
Sipas një ankete të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Buxhetin e Ekonomive Familjare për vitin 2022, konsumi mesatar vjetor i familjeve në vitin 2022 ishte 8 mijë e 106 euro, me 55 për qind të dedikuar për ushqim dhe pije joalkoolike.
Rreth 4 mijë e 389 euro shpenzuan familjet në Kosovë vetëm për produkte bazë dhe pije joalkoolike.
Ndonëse pjesë e krizës ekonomike ishin edhe vendet e tjera të rajonit, më së shumti e pësuan xhepat e qytetarëve të Kosovës.
Krahasuar me Shqipërinë, familjet kosovare shpenzuan rreth 15.6 për qind më shumë për ushqim dhe pije joalkoolike.
Pra, një familje në Shqipëri shpenzoi vetëm 39.7 për qind të buxhetit për produktet bazë. Përqindje të ngjashme Kosova kishte 5 vite më parë.
Burimi: Instituti i Statistikave / Anketa e Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare
Sipas të dhënave të anketës, 78.5 për qind e familjeve në Kosovë kanë vështirësi në mbulimin e shpenzimeve për strehim dhe banim. 40.7 për qind prej tyre e kanë barrë te rendë.
Sipas ASK-së, ushqimin, banimi, transporti, veshmbathjet, alkoolin dhe duhani paraqesin rreth 85 për qind të konsumit të përgjithshëm.