Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se platforma për publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve pritet të jetë funksionale për ditën e zgjedhjeve.
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se gjatë ditës së shtunë do të bëhet prezantimi i platformës, e cila sipas tij i plotëson të gjitha kriteret dhe është gati për përdorim.
“Sot do të bëhet një prezantim i platformës. Platforma i plotëson krejt kriteret dhe është funksionale. Shpresojmë që mos me ndodhë ajo që ka ndodhë me 9 shkurt, por angazhimi i stafit në këta 3 muajt e fundit ka qenë jashtëzakonisht i madh”, tha ai.
Në këtë mbledhje, Buzhala bëri të ditur se gjatë mëngjesit të ditës së shtunë është shpërndarë materiali zgjedhor për Zgjedhjet Lokale, ndërsa procesi i votimit me postë për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës do të përfundojë më 11 tetor.
Ai shtoi se tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutitë postare që janë hapur në 22 shtete të ndryshme do të bëhet në fillim të javës së ardhshme, pas ditës së zgjedhjeve në Kosovë.
“Përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta për 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar paraprakisht.
Numri i votuesve të regjistruar sipas kategorive për votim përmes ekipeve mobile është 3,467 votues, prej të cilëve:
- 1,508 votues të ngujuar në shtëpi;
- 1,956 votues në institucione (klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit, qendra korrektuese, etj.); dhe
- 3 votues në arrest shtëpiak”, tha ai.
Ndërkohë, anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, shprehu shqetësim për mënyrën se si është zhvilluar votimi me asistencë në zgjedhjet e kaluara.
“Komisionerët lajmëruan se paku në zgjedhjet e fundit kanë hyrë 15-20 votues që kanë votuar me asistencë, ku këta persona kanë vërtetim nga mjeku. Është i njëjti nënshkrim, i njëjti vërtetim, ku për një ditë një mjek konstaton që 20 veta nuk shohin. Kjo është votë e shitur, nuk ka të drejtë asistenti të hyjë në kabinën e votimit. Nuk ka të drejtë dikush tjetër të hyjë, këto janë shqetësimet që kam dëgjuar”, tha ai.
Ndërsa anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Ilir Gashi, theksoi nevojën që procesi i votimit në diasporë të jetë i mbikëqyrur dhe i drejtë.
“Tek mënyra e votimit ne e dimë që votimi në diasporë nuk mund të menaxhohet dhe se dim se dora e kujt voton. Mbikëqyrja me qenë e rreptë edhe e lejueshme për personat që kanë nevojë seriozisht”, tha Gashi.
Edhe anëtari i KQZ-së nga AAK-ja, Muharrem Nitaj, ngriti shqetësim për mosmarrjen e fletëvotimeve nga disa votues në diasporë.
“Shumë prej votuesve në diasporë që janë regjistruar nuk kanë marrë fletëvotimet, pavarësisht që janë regjistruar. Ka pasur raste kur një familjar ka pranuar fletëvotimin e tjetrit jo. Pyetja ime është nëse posta e Kosovës ka arritur të përmbushë obligimin që ka marrë”, tha ai.
Në përgjigje, Buzhala tha se dërgesat postare janë dërguar me kohë tek votuesit, por ka mundësi që disa prej tyre të mos i kenë marrë për shkak të procedurave postare ose vonesave në shpërndarje.
“Dërgesat postare janë dërguar të gjitha me kohë tek votuesit. Procesi i gjurmimit mund të ndodhë që nuk kanë marrë me kohë për shkak të procesit postar apo të dërgimit tek adresat”, tha ai.