Elezi ka theksuar se pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime, në natën e së dielës do të publikohen rezultatet preliminare për subjektet politike, ndërsa nga dita e hënë do të vazhdojë numërimi i votave për kandidatët për deputetë.
“Besojmë që të dielën në mbrëmje, brenda disa orësh, të kemi rezultatet preliminare për subjektet politike. Në garë janë vetëm 24 subjekte politike, më pak se më 9 shkurt, gjë që e lehtëson procesin e numërimit dhe transmetimit të rezultateve”, ka deklaruar Elezi në RTV Dukagjini.
Ai ka shtuar se aktivitetet pas ditës së zgjedhjeve zhvillohen në Qendrat Komunale të Numërimit, ku do të bëhet numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Sipas tij, gjatë ditëve të festave mund të ketë pauza në numërim, për çka KQZ do të marrë vendime të veçanta organizative.
“Mund të ketë pauza gjatë ditëve të festave, por të gjitha materialet zgjedhore janë nën përkujdesjen e Policisë së Kosovës”, ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së.






