Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka ndarë një, siç thotë, ai “lajm të mirë” për mediat dhe transparencën në vend sa i përket proceseve zgjedhore demokratike në vend, ku duke nisur nga proceset e ardhshme zgjedhore mediat e akredituara do të lejohen “të filmojnë dhe fotografojnë” gjatë numërimit të fletvotimeve në vendvotime.
Njoftimi i Elezit:
Po e ndaj këtu një lajm të mirë për mediat dhe transparencën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.
Duke filluar nga proceset e ardhshme zgjedhore numërimi i fletëvotimeve në vendvotim mund të vëzhgohet nga mediat e akredituara, të cilat lejohen të filmojnë dhe fotografojnë.
Transparenca është kyçe për besueshmërinë e qytetarëve në proceset zgjedhore dhe ky është një hap i madh nga KQZ.
Një falënderim për të gjithë anëtarët e KQZ-së që mbështetën propozimin që kjo të përfshihet si një nen i veçantë në Rregulloren Zgjedhore Nr. 08/2024 Vëzhguesit e zgjedhjeve. Për zbatim më të lehtë, me kohë do të përgatitet edhe Udhëzuesi për Vëzhguesit me sqarime të detajuara.