Sipas të dhënave, deri në përfundim të ditës së hënë janë rinumëruar 13 vendvotime nga 50 sa është numri i përgjithshëm i tyre për të cilat ka marrë vendim KQZ.

Vendvotimet e rinumëruara deri më tani i takojnë komunës së Vushtrrisë. Gjatë ditës së martë do të procedohet me rinumërimin edhe të vendvotimeve të tjera.

Në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimve.

Fillimisht, KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025.

Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.

Në vazhdim, KQZ mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate.

Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025. Procesi i rinumërimit po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar