Kompania Management & Development Associates (MDA), e cila dikur ishte në pronësi të Luan Dalipit, shef i stafit të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe që tani figuron në pronësi të vëllait të tij, Driton Dalipi, ka fituar një kontratë publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar më 28 korrik 2025 nga KQZ, kompania MDA është shpallur fituese e tenderit për realizimin e video dhe radio spoteve për edukim dhe informim për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025 në Republikën e Kosovës. Kontrata, me numër prokurimi 320-25-5829-2-2-1, është nënshkruar me vlerën 13,979.98 euro.
MDA ka fituar tenderin përmes një procedure të hapur, ku janë pranuar gjithsej katër tenderë, të gjithë të vlerësuar si të përgjegjshëm. Oferta e MDA-së ishte më e ulëta ndër konkurrentët, me çmime të tjera që shkonin deri në 19,851.00 euro
Kompania MDA është e njohur për përfshirje të rregullt në kontrata me institucione shtetërore për realizimin e fushatave informative, trajnimeve apo projekteve të komunikimit publik.
Arsyeja që akuzohej Dalipi ishte që përmes ish-zyrtarit të MTI-së Xhemajl Syla si udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.



