Me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, do të marrë fund edhe mandati i përbërjes aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Tre prej anëtarëve aktualë u përfundon mandati i tretë radhazi dhe s’mund të riemërohen për shkak të kufizimeve në ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Pavarësisht kësaj, përbërja e re e KQZ-së duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit.
Kjo i bije se pas certifikimit të rezultateve, 10 anëtarët e KQZ-së duhet të (ri)emërohen nga presidentja e vendit.
Sami Kurteshi i VV-së, Arianit Elshanit i PDK-së dhe Sami Hamiti i LDK-së pritet që t’iu përfundojë mandati pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Përfundimi i mandatit të tyre lidhet drejtpërdrejt me Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili kufizon kohëzgjatjen e shërbimit në këtë institucion.
Sipas nenit 4 të këtij ligji, “Anëtarët e KQZ-së nuk mund të shërbejnë më shumë se tri (3) mandate të njëpasnjëshme”.
Kurteshi, Elshani dhe Hamiti janë tre anëtarët që qëndrojnë në KQZ prej tre mandateve. Mandati i fundit, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, doli të jetë më pak se një vjeçar për shkak të zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën në fund të dhjetorit.
Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, “Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalur nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ”.

Pas certifikimit të zgjedhjeve, grupet parlamentare duhet të dërgojnë nga fillimi emrat për anëtarë të tyre në KQZ.
LVV, PDK dhe AAK mund të riemërojnë anëtarët tjerë aktualë – Alban Krasniqin, Ilir Gashin dhe Muharrem Nitajn, por deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje zyrtare.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, 6 anëtarë emërohen nga pjesëtarët e 6 grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara.
Sipas rezultateve preliminare të 28 dhjetorit, në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës do të jenë 4 grupe parlamentare shqiptare, çka do të thotë se nga Vetëvendosje dhe PDK do të emërohen nga 2 anëtarë, e nga LDK dhe AAK d0 të emërohet nga 1 anëtar.
Po sipas Kushtetutës, 4 anëtarë të tjerë emërohen nga komunitetet pakicë.
Aktualisht, kryesues i KQZ-së është Kreshnik Radoniqi, i emëruar nga presidentja Osmani pas shkarkimit të Valdete Dakës në qershor të vitit 2021.






