Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama lidhur me qasjen ndaj njëri –tjetërit.
Kosumi ka thënë se situata është e patolerueshme për dy kryeministrat.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë edhe nëse kanë dallime për ndonjë çështje, e kanë për obligim të bashkëpunojë.
Kosumi në emisionin “InfoNata”, thotë se ka raste kur Edi Rama nuk do duhej të vepronte pa e pyetur Kosovën.
“E patolerueshme për dy qeveritë dy kryeministrat, nuk është vetëm çështja e z. Rama dhe z.Kurti edhe më herët z. Rama ka pas mosmarrëveshje me kryeministrat e Kosovës. Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë e kanë obligim t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të veprojnë edhe kur kanë ndonjë moskuptim. Ka pika që z. Rama nuk do duhej të bënte pa u marrë vesh me Kosovën, por ne po harrojmë që z.Rama është kryeministër i Shqipërisë, ai përveç interesit të Kosovës ka edhe interesa tjera, ta zëmë interesin për turistët nga Serbia, është legjitime duhet ta kuptojmë në këtë çështje”, ka thënë Kosumi në emisionin “InfoNata” në Tëvë 1.
Kurti e Rama nuk u takuan as në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Ani pse nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se kryeministri i Shqipërisë ka qenë i ftuar të marrë pjesë në shendimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
Rama ishte në Prishtinë të hënën, ku u takua me presidentet Vjosa Osmani. Ai mori pjesë edhe në një konferencë ndërkombëtare për ish-presidentin Ibrahim Rugova të organizuar nga LDK-ja.