Kapitenja e ekipit kombëtar të femrave të Suedisë, Kosovare Asllani, udhëhoqi skuadrën e saj drejt një fitoreje bindëse 3-0 ndaj Polonisë, në kuadër të Kampionatit Evropian të Femrave 2025, duke siguruar kualifikimin nga Grupi C me një ndeshje të mbetur.
Veterania asistoi golin e parë për Stina Blackstenius dhe shënoi vetë të dytin, duke i dhënë avantazh të qartë Suedisë ndaj debutuesve të Polonisë, përpara se Lina Hurtig të vuloste rezultatin me golin e tretë.
Pas ndeshjes, Asllani u shpreh për mediat: “Hymë në fushë me vendosmëri dhe agresivitet. Ishte një ndeshje dinamike, argëtuese dhe me gola!”.
Që nga prezantimi i fazës së grupeve në vitin 1997, Suedia ka kaluar gjithmonë në fazën me eliminim direkt, dhe kjo fitore e dyta pas asaj ndaj Danimarkës e përforcon këtë traditë. Një barazim në përballjen e fundit ndaj Gjermanisë mjafton për ta mbyllur grupin në vendin e parë, falë golavarazhit më të mirë – por Asllani ka synime më të larta.
“Ne nuk hyjmë në fushë për barazim. Duam ta fitojmë edhe ndeshjen ndaj Gjermanisë,” theksoi ajo.
E vetmja hije mbi paraqitjen e saj mbresëlënëse ishte kartoni i verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj Ewa Pajor, ndërsa vetë Asllani beson se ishte viktimë e një vendimi të padrejtë nga gjyqtarja Maria Sole Ferrieri Caputi. “Ajo (Pajor) më tërhoqi, ishte një faull i qartë për mua. Pastaj ndëshkohem unë? E pabesueshme!”, u shpreh ajo.
Kartoni i verdhë mund ta përjashtojë nga çerekfinalja nëse ndëshkohet edhe ndaj Gjermanisë. “Sigurisht që mund të më ndikojë. Duhet të jem e kujdesshme – do të ishte budallallëk të mos e mendoja këtë,” shtoi Asllani, që bëri paraqitjen e saj të 201-të me fanellën kombëtare, duke shënuar golin e 49-të dhe duke u bërë lojtarja e parë e Suedisë me 20 ndeshje në Kampionatin Evropian të Femrave.
“Është një ndjesi e veçantë, por tani për tani fokusi është vetëm te rikuperimi dhe ndeshja e radhës,” përfundoi ajo.