Home Ballina Kosova voton| SOT FOL SOVRANI

Kosova voton| SOT FOL SOVRANI

0
Kosova voton| SOT FOL SOVRANI

Sot (e diel) qytetarët e Kosovës u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 120 deputetët e rinj të Kuvendit. Në këtë garë elektorale marrin pjesë 27 subjekte politike, ndërsa për herë të parë do të votojnë 125,852 votues të rinj.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 941 qendra votimi, ku për votimin e rregullt janë hapur 2,533 vendvotime, ndërsa për votimin me kusht janë caktuar 38 qendra me gjithsej 56 vendvotime.

Në ditën e zgjedhjeve, fillimisht do të numërohet pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë zgjedhur subjektin politik, duke i mundësuar KQZ-së publikimin e rezultateve preliminare brenda një kohe të shkurtër.

Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në qendrat komunale të numërimit do të fillojë numërimi i votave për kandidatët individualë për deputetë.

Më 8 shkurt, votimi u zhvillua edhe në 43 vendvotime të vendosura në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës në 19 shtete të ndryshme të botës. Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës kishin mundësinë të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Gjatë fushatës zgjedhore, partitë politike bënë premtime të shumta për rritjen e pagave dhe pensioneve, përmirësimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor, si dhe luftimin e varfërisë. Megjithatë, realizimi i këtyre zotimeve mbetet sfidë për vendin më të varfër në Evropë.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të përcaktojë drejtimin e politikës kosovare në bisedimet e ngecura me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Procesi zgjedhor do të monitorohet nga një ekip prej 100 vëzhguesish nga Bashkimi Evropian, 18 nga Këshilli i Evropës dhe dhjetëra të tjerë nga organizata ndërkombëtare.

Këto janë zgjedhjet e para të rregullta të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Deri tani, vendi ka zhvilluar disa palë zgjedhje të parakohshme.

Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë.

Nga këto votime do të dalë përbërja e re e Kuvendit, i cili më pas do të zgjedhë Qeverinë e re të vendit. /Telegrafi

Exit mobile version