Kosova sot maban zgjedhjet lokale në 38 komuna.
KQZ-ja ka bërë të gjitha përpjekjet për procesin zgjedhor, i cili nis në 7:00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 19:00.
Këto zgjedhje pritet të zhvillohen në një klimë të tensionuar politike: me Kuvendin e konstituuar vetëm pas gjashtë muajsh përpjekje dhe me Qeverinë ende në detyrë.
Kjo situatë, sipas njohësve të zhvillimeve politike, i jep këtij procesi elektoral një dimension më të gjerë sesa thjesht lokal.
Megjithatë, ata nuk presin që kriza në nivel qendror të ndikojë ndjeshëm te sjellja e votuesve në komunat e Kosovës.
Për ta, zgjedhjet lokale mbeten më të lidhura me emrat konkretë dhe me performancën e kandidatëve, sesa me përkatësinë partiake.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Partia Demokratike e Kosovës doli fituese në nëntë komuna, duke u renditur e para ndër subjektet shqiptare.
Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në shtatë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në pesë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje siguroi katër komuna – pavarësisht se vetëm disa muaj më parë, në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, kishte dalë bindshëm fituese në nivel qendror.