Kombëtarja e Kosovës po vazhdon përgatitjet intensive për finalen e madhe të “play-off”-it për Botërorin 2026 ndaj Turqisë, një përballje historike që do të zhvillohet të martën dhe që mund të sjellë një arritje të jashtëzakonshme për Kosovën
Edhe pse kushtet atmosferike nuk kanë qenë aspak të favorshme, me temperatura të ulëta, reshje të vazhdueshme shiu dhe madje edhe fjolla bore, Dardanët nuk janë ndalur në asnjë moment.
Nën këto rrethana, skuadra ka zhvilluar seanca stërvitore me intensitet të lartë, duke dëshmuar përkushtim maksimal dhe një disiplinë të admirueshme në prag të ndeshjes vendimtare.
Atmosfera brenda kampit të kombëtares është shumë pozitive. Fryma e grupit dhe besimi mes lojtarëve dhe stafit teknik janë në nivelin më të lartë, ndërsa një tjetër lajm shumë i rëndësishëm është fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë fizike, pa probleme serioze, dhe plotësisht të gatshëm për sfidën që i pret.
Stafi teknik po punon në detajet e fundit taktike, duke analizuar kundërshtarin dhe duke përgatitur strategjinë më të mirë për këtë përballje kaq të rëndësishme.
Fokus i veçantë po i kushtohet organizimit në fushë dhe shfrytëzimit të rasteve, elemente që mund të bëjnë diferencën në një ndeshje të këtij niveli.
Kosova ndodhet vetëm një hap larg realizimit të një ëndrre të madhe – kualifikimit në Kupën e Botës. Për këtë arsye, përkushtimi, motivi dhe dëshira për të shkruar histori janë më të mëdha se kurrë më parë.
Të bashkuar dhe të vendosur, Dardanët synojnë që të martën të japin maksimumin në fushë dhe t’i dhurojnë vendit një nga momentet më të mëdha në historinë e sportit kosovar.






