17.4 C
New York
Monday, May 26, 2025

Buy now

Kosova U21 nis grumbullimin për dy miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut

- Advertisement -

Kombëtarja U21 e Kosovës ka nisur sot grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore kundër Maqedonisë së Veriut. Këto ndeshje do të shërbejnë si test i rëndësishëm për seleksionimin e futbollistëve dhe ndërtimin e një skuadre konkurruese për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian, i cili fillon në muajin shtator.

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani ka ftuar gjithsej 23 futbollistë për këtë grumbullim. Prej tyre, tetë janë nga liga vendore, ndërsa pjesa tjetër nga klube jashtë vendit.

Ndeshjet miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, Dardanët U21 i zhvillojnë të mërkurën si vendas, ndërsa ndeshjen e dytë të shtunën, më 31 maj, në Shkup.

Sipas përzgjedhësit Afrim Tovërlani, të gjithë futbollistët kanë pasur kohë për ta dëshmuar veten –tash është momenti të selektohen më të mirët.

“Është selektimi i fundit për futbollistët të cilëve u kemi dhënë mjaft raste për ta dëshmuar veten dhe këto dy ndeshje po shpresoj se do të na shërbejnë për të selektuar më të mirët. Përmes këtyre dy ndeshjeve do të mundohemi të imponojmë karakter, një mentalitet, disiplinë –se si duhet të prezantohet fanella dardane. Pastaj vijnë rezultatet”, theksoi ndër të tjera përzgjedhësi Tovërlani.

Nga ana tjetër, futbollisti Leon Frokaj, i cili luan në Bazel të Zvicrës, pohoi se fitoret janë të rëndësishme, pavarësisht nëse ndeshja është miqësore apo jo.

“Ne dëshirojmë fitoren, pavarësisht nëse ndeshja është miqësore apo jo. Këto ditë do të bëjmë stërvitje të mira, pastaj të shënojmë fitore të mërkurën, por edhe në udhëtim”.

Futbollisti Hamza Muqaj, i cili luan në Gjermani, u shpreh i lumtur që luan për Kosovën, ndërsa Leon Zeqiraj, i cili luan në Itali, u shpreh i lumtur që përfaqëson fanellën dardane.

Kosova në shtator fillon ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian kundër Rumanisë dhe Spanjës.

Për shkak të lëndimit me klubin e tij Faton Ademi mungon në këtë grumbullim dhe në vend të tij është ftuar Elvaris Suplja nga FC Siena.

Të ngjashme

Të fundit