Kosova – Turqia: Diferencë e madhe në vlerë, por “Dardanët” besojnë në histori

- Advertisement -

Kombëtarja e Kosovës është vetëm një hap larg historisë. Të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, “Dardanët” presin Turqinë në finalen e play-offit për një vend në Kupën e Botës 2026, një ndeshje që mund të ndryshojë përgjithmonë futbollin kosovar.

Por përballë tyre qëndron një kundërshtar shumë i fortë, jo vetëm në fushë, por edhe në aspektin financiar.

Sipas të dhënave të Transfermarkt, Kosova ka një vlerë totale të skuadrës rreth 116 milionë euro, ndërsa Turqia arrin në rreth 453 milionë euro.

Kjo do të thotë se Turqia vlen gati katër herë më shumë se Kosova, me një diferencë prej mbi 330 milionë eurosh.

Ky hendek i madh reflekton edhe nivelin e lojtarëve dhe kampionatet ku ata aktivizohen, me Turqinë që ka emra të mëdhenj dhe talente nga klubet elitare evropiane.

Megjithatë, përfaqësuesja e Kosovës tashmë ka dëshmuar se vlera në letër nuk vendos gjithçka. Në gjysmëfinale, “Dardanët” arritën një fitore spektakolare 4-3 ndaj Sllovakisë, duke përmbysur disa herë rezultatin dhe duke treguar karakter të jashtëzakonshëm.

Kjo fitore e ka rritur besimin në skuadrën e drejtuar nga Franco Foda, e cila tashmë është vetëm 90 minuta larg një arritjeje historike.

Për Kosovën, kjo është ndeshja më e madhe në histori. Një fitore ndaj Turqisë do të siguronte për herë të parë pjesëmarrjen në një turne madhor, vetëm një dekadë pasi u pranua në UEFA dhe FIFA.

Nga ana tjetër, Turqia hyn si favorite në letër, por presioni do të jetë i madh, pasi përballë do të ketë një Kosovë të motivuar maksimalisht dhe me përkrahjen e tifozëve vendas.

Edhe pse diferenca financiare është e madhe, futbolli shpesh ka treguar se surprizat janë pjesë e lojës. Kosova tashmë ka dëshmuar se di të përmbysë çdo parashikim.

Të martën në Prishtinë, nuk do të vendosë vlera në treg, por zemra në fushë.

Të ngjashme

Të fundit