Kombëtarja e Kosovës sonte do ta zhvillojë përballjen e parë në kuadër të kualifikuesve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
“Dardanët” janë mysafir i Izraelit, një nga kundërshtarët direkt në garë për ‘biletën’ për avancimin tutje.
Kosova nuk do ta ketë të lehtë rezultatin pozitiv duke marrë parasysh se Izraeli pritet të ketë mbi 30 mijë tifozë vendas të pranishëm në stadium.
Të premten, përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse ishte shprehur optimist se mund të arrijnë rezultat pozitiv.
“Gjasat e Kosovës normalisht varen në takimin e nesërme dhe në ndeshjet e radhës nga angazhimet e futbollistëve. Normalisht ne kemi këtë besim dhe vetëm përmes angazhimit mund të arrijmë atë që duam. Sa i përket taktikave, nuk flas para lojës“.
I këtij mendimi ishte edhe portieri i dytë i Kosovës, Samir Ujkani që të premten deklaroi: “Ky është një cikël i ri kualifikues dhe ne kemi synimet tona për t’u kualifikuar në Evropian. Ndaj Izraelit synojmë rezultat të mirë. Jemi rritur së bashku dhe jemi gati për suksesin historik. Duam që të mbledhim sa më shumë pikë në këtë rrugëtim dhe çdo ndeshje do të jetë si finale për ne. Të gjithë kundërshtarët janë të fortë në grup dhe nuk duhet nënvlerësuar. Por, ne kemi besim dhe në secilën ndeshje do të futemi për rezultat pozitiv, duke dhënë më të mirën nga vetja”.
Në këtë ndeshje, “Dardanët” kanë të gjithë skuadrën të gatshme përpos Elbasan Rashanit që pavarësisht se mori ftesë, nuk ia doli të rikuperohet me kohë.
Alain Giresse vendosi të mos e ftojë asnjë zëvendësues pasi ka një listë prej 25 lojtarëve.
Për fund, kujtojmë se përballja mes Izraelit dhe Kosovës do të zhvillohet në “Bloomfield Stadium” me fillim nga ora 18:00.