Kosova po aspiron për një tranzicion energjetik dhe dekarbonizim të plotë deri në vitin 2050. Kështu tha hulumtuesi i INDEP, Liron Gjocaj, i cili konsideron se përmes Strategjisë për Energji të miratuar në Kuvendin e Kosovës do të parashihet rritja e kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme deri në 1300 megavate.
“Kemi projekte me erë si ai në Selac që u vu në funksion vitin e kaluar, ku prodhimi është 105 megavatë dhe ka ndihmuar shumë në sistemin e Kosovës. Mirëpo kjo nuk është e kënaqshme, duke e ditur se Kosova po aspiron për një tranzicion energjetik dhe dekarbonizim të plotë deri në vitin 2050. Përmes strategjisë së energjisë për Kosovën 2022-2031, parashihet që deri në vitin 2031 përpos kapaciteteve që Kosova i ka, të alokojë edhe 1300 megavate të tjera të gjenerimit të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtërishme të energjisë, në mënyrë që tranzicioni i energjisë të ndodhë sa më shpejt dhe që në vitin 2050 Kosova të jetë e dekarbonizuar si vend”, tha ai.
Ai theksoi se INDEP ka propozuar investimeve në energjinë termike përmes ngrohtores së qytetit, që do të bënte që gjatë dimrit Kosova të ketë energji termike e mos të shfrytëzojë energji elektrike për ngrohje dhe kursimi i energjisë të jetë një synim i qartë.
Eksperti për çështje të energjisë, Lulzim Syla, tha se për sa i përket nivelit makro ka një përparim në fushën e energjisë së ripërtëritshme.
“Kemi projektin e fundit që do të quhet projekt me ankand ‘kush do të ofrojë çmimin më të lirë do të fitojë projektin prej 100 megavatësh’ që do të jetë në regjionin e Rahovecit. Gjithashtu është proklamuar edhe një projekt në regjion të Gjakovës, do të ketë edhe projekte në fushën e efiçiences së energjisë për ngritjen e kapaciteteve të ngrohtoreve në 7 qytete në Kosovë”, tha ai.
Mirëpo Syla tha se duhet punohet më shumë në mbështetje të familjeve dhe që të rriten kapacitetet me qëllim që të ulet konsumi i energjisë elektrike dhe njëkohësisht të shfrytëzohen fondet që janë të ndara nga BE.
Ditë më parë është aprovuar edhe projekti për aplikimin e masave emergjente të efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial – shtëpitë individuale të banimit privat. Bordi Drejtues i Fondit të Kosovës për Efiçiencё tё Energjisë, ka njoftuar se e ka aprovuar këtë projekt, i cili ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjarë përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe financohet nga mjetet e Bashkimit Evropian të Pakos Emergjente, siguruar përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Marrëveshjen Financiare IPA III.