12.8 C
New York
Wednesday, November 26, 2025

Buy now

“Kosova po ndërton reputacion ndërkombëtar me dizajn, cilësi dhe inovacion”, mbahet Konventa e 8-të e industrisë së drurit

- Advertisement -

Konventa e Industrisë së Drurit, organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, vlerësohet të jetë kthyer në një prej ngjarjeve më të rëndësishme ekonomike të vitit. Në qendër të këtij edicioni ishte vlerësimi i kontributit që industria e drurit po i jep zhvillimit ekonomik të vendit, siç u tha edhe nga Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili nënvizoi rolin transformues të sektorit dhe rritjen e tij të jashtëzakonshme, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi fuqinë transformuese të industrisë së drurit, duke e përshkruar si një sektor që punon me përkushtim, për cka iu referua thënies së në Kosovë punohet “me mish e me shpirt”.

“Konventa e Industrisë së Drurit është një ngjarje që nga viti në vit po e rrit standardin dhe po e forcon bashkëpunimin. Sot jemi këtu për të prezantuar punën tonë dhe për të dëshmuar se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm. Kur themi se në Kosovë punohet ‘me mish e me shpirt’, e kemi fjalën pikërisht për industrinë e drurit dhe kjo është arsyeja pse kërkesat për blerje po rriten nga viti në vit. Si qeveri po punojmë me kujdes që të krijojmë një mjedis të përshtatshëm e të lehtësuar për bizneset. Kosova po ecën me besim dhe me hapa të qëndrueshëm. Kjo industri është thelbësore për ata që kërkojnë partneritet të jashtëm. Kosova kryeson në rajon për përmirësimin e lirive demokratike dhe po rritet ekonomikisht. Rritja mesatare ekonomike në 4 vitet e fundit është 6%, ndërsa qarkullimi i bizneseve është rritur për 80%. Këto tregojnë se Kosova po zhvillohet falë të gjithëve ju, ndërmarrësve që jeni këtu. Me këtë panoramë zhvillimi, industria e drurit qëndron si një aset i artë. ‘Made in Kosova’ në këtë sektor po fiton në tregjet rajonale jo si kompromis, por si garanci. Ka konkurrencë të fortë, ka kërkesë në rritje për teknologji të reja dhe për profesionistë të rinj, dhe qeveria është partneri juaj. Ne jemi këtu për t’ju fuqizuar dhe për t’ju hapur rrugë të reja. Ne besojmë te talenti dhe puna juaj për ta çuar Kosovën në tregjet ndërkombëtare. Ju falënderoj për punën tuaj të përditshme dhe për kontributin tuaj për ekonominë dhe reputacionin e Kosovës. Po bëhemi vend i shpikjes dhe dizajnit. Si shoqëri, ta vazhdojmë këtë rrugëtim me besim të palëkundur.”, tha ai.

Ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari theksoi stabilitetin e sektorit të drurit, rolin e tij në uljen e deficitit tregtar, rritjen e punësimit dhe rëndësinë e investimit në fuqi punëtore

“Është vërtet nder dhe kënaqësi të jemi në edicionin e 8-të të Konventës së Drurit, e cila po kthehet në një platformë të fortë bashkëpunimi. Industria e drurit ka qenë një nga sektorët më të qëndrueshëm të ekonomisë sonë. Ky sektor nuk paraqet vetëm prodhim, por edhe eksport, dizajn dhe inovacion. Kosova ka mundësi të pozicionohet fuqishëm në dizajn dhe prodhim. Industria e drurit është një nga kontribuesit më të mëdhenj në uljen e deficitit tregtar. Ajo krijon mundësi të mëdha punësimi dhe për këtë arsye, përmes arsimit profesional dhe trajnimeve, mund të ndërtojmë një fuqi punëtore të aftë dhe kreative. Të dhënat e fundit tregojnë se në vitin 2024 janë regjistruar 10,941 punëtorë në këtë sektor – një rritje prej 30% krahasuar me periudhën 2022–2024. Për më tepër, programet e MINT kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në transformimin teknologjik dhe në pjesëmarrjen në dhjetëra panaire ndërkombëtare, duke rritur kapacitetin eksportues të Kosovës. Shpreh mirënjohje të veçantë për Luksemburgun për përkrahjen e vazhdueshme. Konventa e Drurit është një mundësi unike për të bashkëpunuar dhe për të shkëmbyer ide”, tha ajo.

Drejtoresha Ekzekutive e SHPDK, Arieta Pozhegu nënvizoi rëndësinë e kreativitetit, zanatit dhe eksportit.

“Jemi këtu jo vetëm për të folur për sektorin tonë. Industria e drurit nuk është vetëm industri është zanat, kreativitet dhe dëshmi se Kosova mund të eksportojë dhe të bëjë më të mirën. Kemi kompani që kanë nisur si punishte të vogla dhe sot eksportojnë edhe jashtë vendit. Ka rritje prej 20% krahasuar me vitin e kaluar, dhe kemi partnerë ndërkombëtarë që besojnë se Kosova po zhvillohet. E ardhmja e sektorit tonë kërkon guxim për të sjellë ndryshime dhe për t’u përballur me sfida të reja. Kjo konventë është një thirrje motivuese për të mos u krahasuar me të tjerët, por me versionin më të mirë të vetes. Unë besoj se industria e drurit është në prag të një epoke të re dhe shoh vullnet për bashkëpunim dhe për të mësuar.”, tha ajo.

Kryetari i Bordit të SHPDK, Zenel Kelmendi vuri në pah përgjegjësinë e sektorit për të ndërtuar partneritete ndërkombëtare.

“Është nder dhe përgjegjësi e veçantë që sot po hapim Konventën e 8-të të Industrisë së Drurit. Industria e drurit është një nga sektorët më të rëndësishëm për ekonominë tonë. Sot më shumë se kurrë na kërkohet të investojmë dhe të ndërtojmë partneritete ndërkombëtare. Kjo është prova më e mirë se kërkesa e sektorit ndërtohet vetëm përmes bashkëpunimit. Falënderoj Qeverinë e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen”, tha ai.

Shef i Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz e përshkroi industrinë e drurit si sektor me potencial të madh zhvillimi dhe theksoi tri shtyllat e suksesit.

“Është nder i madh të drejtohem në edicionin e 8-të të Konventës së Drurit. Dua të falënderoj SHPDK për punën e tyre për të ardhmen e këtij sektori. Industria e përpunimit të drurit për Luksemburgun është një sektor i privilegjuar për t’u mbështetur. Janë tre faktorë që përcaktojnë suksesin: automatizimi, dizajni dhe qasja në financa. Së pari, kompanitë duhet të modernizojnë proceset e tyre për të qenë në hap me trendet e industrisë. Së dyti, dizajni, në tregun e sotëm, dizajni është vlerë kyçe dhe Kosova ka një komunitet në rritje të dizajnerëve.

Së treti, qasja në financa, kompanitë që duan të zgjerohen kanë nevojë për mjete të qëndrueshme financiare. Fuqizimi financiar mundëson rritje teknologjike dhe rritje të eksportit. Industria e drurit në Kosovë ka potencial të madh për rritje. Nevojiten më shumë investime, dhe Luksemburgu do të mbetet partner në këtë fushë. Dua të përgëzoj organizatorët dhe partnerët, puna juaj është jetike jo vetëm për rritjen e sektorit, por edhe për zgjerimin e tij”, tha ai.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Ëesterlund theksoi rritjen e trefishtë të eksporteve të mobileve kosovare në Suedi.

“Kosova ka trefishuar prodhimin dhe eksportin e mobiljeve në Suedi gjatë tre viteve të fundit. Kjo është një shifër e madhe dhe një tregues i qartë i progresit. Ne kemi një traditë të gjatë në industrinë e mobiljeve dhe jemi një vend kreativ. Në shtator, indeksi global e ka vendosur Suedinë të dytën në botë për kreativitet, pas Zvicrës. Në shtator patëm një delegacion prej 70 personash dhe 8 kompanish suedeze në Kosovë, dhe bashkëpunimi me industrinë e drurit po funksionon jashtëzakonisht mirë. Mendoj se është e rëndësishme për ju, sepse mund të bëni një hap të madh përpara dhe ne jemi këtu për t’ju mbështetur”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit