Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për ftesën që presidenti Trump i bëri Kosovës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes. Një ftesë të tillë e mori edhe Rama para pak ditësh.
Rama e përshkroi këtë si “gjest domethënës” ndaj Kosovës nga Trump dhe krahas urimeve pati edhe një mesazh për politikanët në Kosovë.
“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë. Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”, shkroi Rama në X.
Osmani njoftoi sot në mëngjes për ftesën e pranuar nga presidenti amerikan.
“Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, ka thënë ajo.
Shtëpia e Bardhë ka dërguar ftesa për shumë vende të botës që të jenë anëtare e këtij bordi që fillimisht do të merret me paqen në Gaza.






