Numri i të prekurve nga viroza është rritur, duke bërë që vizitat në ambulanca dhe qendra shëndetësore të shtohen ndjeshëm.
Nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Prishtinë thonë se gripi mund të ketë pasoja më serioze tek të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me imunitet të dobësuar, duke nënvizuar nevojën për masa parandaluese dhe vaksinim të hershëm.
Krahasuar me muajin nëntor, gjatë muajit dhjetor është regjistruar një rritje e dukshme e qytetarëve që kërkojnë kontrolle mjekësore për shkak të gripit sezonal.
Kështu ka bërë të ditur për “Front Online” kryeshefja dhe doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Zeqiri.
Sipas saj, të gjithë grupmoshat janë të prekura nga gripi.
Zeqiri tregon se cilat mosha janë më të rrezikuarit nga ky virus.
“Krahasuar me muajin nëntor në dhjetor është rritur dukshëm fluksi i qytetarëve për t’u kontrolluar si shkak i gripit sezonal. Të gjithë grupmoshat janë të prekura nga ky grip por më të ndjeshmit janë personat mbi moshën 65 vjeçar dhe personat me probleme shëndetësore, fëmijët – 8 vjeç”, u shpreh ajo për Front Online.
Kryeshefja dhe doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Zeqiri në një prononcim për “Front Online” ka treguar për simptomat më të shpeshta që përfshijnë të prekurit nga gripi sezonal.
“Simptomat më të shpeshta janë kok-dhimbja, teshtitje, kollitje, shkuarje e hunëve, nxënie të hundëve, dhimbje muskulore, temperaturë, ethe. Fëmijët me dhimbje barku e barkqitje të vjellura”, tha ajo.
Doktoresha Zeqiri theksoi rëndësinë e masave parandaluese.
“Masat parandaluese janë që gjatë teshtitjes ta mbyllim gojën, larja sa më shpesh e duarve me sapunë dhe ujë të ngrohtë, shmangja e kontaktit me personat që kanë simptoma të gripit se përhapja është shumë e lehtë, ajrosja e dhomës dhe pastrimi i sipërfaqeve ku ne prekim është shumë i rëndësishëm”, thotë Zeqiri.
Vaksinimi mbetet masa më efektive për parandalimin e gripit, sipas Zeqirit.
“Masa më e mirë parandaluese është vaksinimi me atë të gripit ku preferohen të gjitha grupmoshat sidomos mbi 65 vjeç dhe ata me probleme kronike, grat shtatzëna”, u shpreh ajo.
Rreth 11 mijë persona janë vaksinuar deri më tani kundër gripit sezonal.
Kështu ka njoftuar kryeshefja dhe doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Zeqiri.
“Deri tani i kemi vaksinuar rreth 11 mijë persona dhe ai mund të vazhdojë deri në muajin prill-maj”, tregoi ajo.
Zeqiri u shpreh se gripi zakonisht zgjat deri në një javë.
“Gripi zgjat deri në 1 javë por në dy ose tri ditë janë simptomat më të mëdha“, ka deklaruar Zeqiri.





