7.1 C
New York
Sunday, January 11, 2026

Buy now

Kosova përballet me pasoja të shumta nga largimi i mjekëve

- Advertisement -
Kosova, edhe gjatë vitit 2025, u përball me largimin e stafit shëndetësor, duke rrezikuar drejtpërdrejt cilësinë e shërbimeve dhe mbështetjen ndaj pacientëve.

Largimi i mjekëve dhe infermierëve nga Kosova mbetet një shqetësim i vazhdueshëm për sistemin shëndetësor publik, duke pasqyruar një krizë që prek drejtpërdrejt cilësinë e shërbimeve dhe mbështetjen ndaj pacientëve.

Shumë qytetarë raportojnë pritje të gjata për trajtim, ndërsa stafi i mbetur shpesh detyrohet të punojë mbi kapacitetin e tij, duke rritur rrezikun për lodhje profesionale dhe gabime gjatë kujdesit ndaj pacientëve.

Kryetarja e Odës së Infermierëve, Nexhmije Gori, thotë për Albanian Post se oda monitoron këtë trend përmes kërkesave për vërtetime të së kaluarës etike dhe profesionale, si dhe përmes kërkesave për licenca të pa plastifikuara, dokumente që zakonisht kërkohen nga profesionistët shëndetësorë që synojnë punësimin jashtë vendit.

“Gjatë vitit 2025 janë lëshuar 76 vërtetime të Kodit Etik dhe 192 licenca të pa plastifikuara. Krahasuar me vitin 2024, kur ishin lëshuar 119 vërtetime dhe 325 licenca, shohim një ulje relative të numrit të kërkesave, por ikja e infermierëve mbetet shqetësuese”, deklaroi Gori për Albanian Post.

Ajo nënvizon se arsyet kryesore që nxisin largimin e infermierëve lidhen me kushtet e punës, ngarkesën e lartë profesionale, nivelin e pagave, sigurinë në vendin e punës dhe mungesën e mundësive të mjaftueshme për zhvillim profesional.

“Nëse këto çështje nuk adresohen në mënyrë të qëndrueshme, ekziston rreziku që në të ardhmen të krijohet mungesë e theksuar e infermierëve në sistemin shëndetësor”.

“Infermierët janë shtylla kryesore e ofrimit të shërbimeve shëndetësore; ata janë në kontakt të vazhdueshëm me pacientin, sigurojnë kujdes të pandërprerë dhe luajnë rol kyç në sigurinë dhe cilësinë e trajtimit. Çdo largim i tyre krijon boshllëqe që nuk mbulohen lehtë dhe që reflektohen në kohën e pritjes, në nivelin e kujdesit dhe në kënaqësinë e pacientëve”, tha ajo.

Gori potencoi gjithashtu se Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë vazhdimisht kanë ngritur shqetësimin se, pa politika të qëndrueshme për përmirësimin e kushteve të punës, pagave, avancimit profesional dhe sigurisë në vendin e punës, ky trend do të vazhdojë.

Edhe kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Tevide Imeri, vlerësoi për Albanian Post se largimi i mjekëve dhe infermierëve po cenon kapacitetin e sistemit shëndetësor publik.

“Vetëm në muajt e fundit të 2025 janë larguar 90 mjekë dhe 192 infermierë. Kërkesat për certifikata nga institucionet kompetente për punësim jashtë vendit konfirmojnë se ikja e stafit shëndetësor mbetet shqetësim shumë i madh”, sqaroi Imeri për AP.

Ajo potencoi edhe se cilat janë arsyet kryesore që po i shtyjnë profesionistët shëndetësorë drejt emigrimit.

“Arsyet kryesore që po i shtyjnë profesionistët shëndetësorë drejt emigrimit lidhen me pagat e ulëta, mungesën e sigurimeve shëndetësore dhe sociale, mungesën e pagesave për punën me rrezikshmëri, kushtet jo të favorshme të punës, ngarkesën e lartë dhe mungesën e mundësive për zhvillim profesional e avancim të karrierës brenda vendit”.

“Vendet e Evropës Perëndimore, veçanërisht Gjermania, po i tërheqin këto profile përmes ofertave shumë më të favorshme financiare dhe profesionale”.

Sipas saj, pasojat e këtij fenomeni tashmë janë lehtë të dukshme pacientët përballen me pritje më të gjata për trajtim, shërbimet shëndetësore ofrohen me ritëm më të ngadalshëm, ndërsa stafi i mbetur detyrohet të mbulojë më shumë ndërrime dhe përgjegjësi, duke çuar në mbingarkesë, lodhje profesionale dhe rënie të cilësisë së kujdesit shëndetësor.

“Mungesa e stafit ndihet më së shumti në shërbimet emergjente, në kujdesin primar dhe në zonat rurale. Masat afatshkurtra që po diskutohen përfshijnë rritjen e pagave përmes plotësimit të Ligjit për paga si dhe stimulimin për punë në kushte të vështira, por këto mbeten zgjidhje të pjesshme”, thotë Imeri.

Ajo shton gjithashtu se nevoja urgjente është hartimi i një reforme të thellë dhe afatgjate, e cila duhet të përfshijë investime në infrastrukturë moderne, krijimin e një sistemi funksional të sigurimeve shëndetësore, rritjen e mundësive për specializim dhe avancim profesional në Kosovë, si dhe ndërtimin e një strategjie shtetërore për mbajtjen e punëtorëve shëndetësor.

“Sistemi shëndetësor mbahet nga profesionistët e tij. Prandaj, çdo ditë që ikja e tyre vazhdon rrezikohet jo vetëm shërbimi shëndetësor, por edhe e ardhmja e kujdesit për qytetarët e Kosovës. Nëse institucionet nuk veprojnë me politika konkrete dhe të qëndrueshme, çmimin do ta paguajnë pacientët dhe stafi që mbetet në vijën e parë të punës”.

Një studim i fundit mbi profesionistët e shëndetësisë në Kosovë tregon se 72% e infermierëve dhe 34% e mjekëve kanë qëllim të emigrojnë, kryesisht për shkak të pagave të ulëta, kushteve të dobëta të punës dhe mungesës së perspektivës profesionale. Destinacionet më të preferuara janë Gjermania dhe Zvicra.

Gjatë vitit 2023, 946 certifikata të etikës dhe profesionalizmit u lëshuan nga Dhomat e Profesionistëve Shëndetësor për ata që synonin të punonin jashtë vendit, përfshirë 713 infermierë dhe 167 mjekë. Këto certifikata përdoren si pjesë e procedurës për punësim jashtë Kosovës.

Vetëm në vitin 2022, 205 mjekë të rinj u larguan nga vendi, ndërsa rreth 60 specialistë shëndetësorë braktisën Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për të punuar në spitale private që ofronin paga shumë më të mira. /AlbanianPost/

Të ngjashme

Të fundit