18 C
New York
Sunday, October 5, 2025

Buy now

Kosova përballet çdo vit me qindra raste të reja të kancerit të gjirit

- Advertisement -
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, shpjegon se rastet e kancerit të gjirit mbeten të ngjashme me vitin e kaluar, ndërsa diagnostikimi i hershëm është vendimtar.

“E kam zbuluar krejt rastësisht gjatë një dushi; kam vërejtur një kokërr dhe natyrisht menjëherë më shkoi mendja tek e keqja. Edhe pse në vitin 2004 nuk kishte mjaft informacione dhe gratë që përballeshin me këtë sëmundje rrallë flisnin, pasi këto gjëra mbaheshin brenda familjes”, kështu e kujton Nafije Latifi për Albanian Post momentin kur për herë të parë vuri re kancerin e gjirit.

Tetori, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, sjell çdo vit mesazhin global se kjo sëmundje mbetet një nga sfidat më të mëdha shëndetësore për gratë në mbarë botën. Me ngjyrën simbolike rozë, fushatat ndërkombëtare synojnë të rrisin ndërgjegjësimin, të edukojnë mbi faktorët e rrezikut dhe të nxisin mbështetjen për pacientët dhe familjet e tyre.

Në Kosovë, qendra referente për trajtimin e rasteve onkologjike është Klinika e Onkologjisë – e vetmja e nivelit terciar në vend – ku çdo ditë përballen me sfidat e diagnostikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, në një bisedë për Albanian Post sqaron rëndësinë jetike të kontrolleve të hershme.

“Tek femrat mbi moshën 40-vjeçare, mamografia duhet të kryhet një herë në vit. Ndërsa ultrazëri dhe ekzaminimet e tjera mund të bëhen më herët, varësisht nga nevoja. Tek ato gra që kanë histori familjare me këtë sëmundje, ekzaminimet duhet të fillojnë që nga mosha 20-vjeçare – duke nisur me vetëekzaminimin dhe më pas me kontrolle të tjera sipas rekomandimit të mjekut”, thotë ai.

Sipas Kurtishit, dekadat e fundit kanë sjellë një revolucion në terapitë kundër kancerit të gjirit.

“Barnat inovative që targetojnë qelizat kanceroze deri në nivel gjenetik, si terapitë biologjike apo imunoterapitë, kanë ndryshuar për të mirë trajtimin dhe prognozën. Edhe në format e avancuara, sot është e mundur të arrihen rezultate pozitive, edhe në fazat kur sëmundja përparon dhe kërkon qasje të reja”.

Megjithatë, ai paralajmëron se trajtimet moderne nuk mund të zëvendësojnë rëndësinë e zbulimit të hershëm.

“Format e reja të mjekimit kanë sjellë përmirësime, por kjo nuk mjafton. Sa më herët që diagnostikohet sëmundja, aq më i lehtë, më i lirë dhe më i suksesshëm është trajtimi”.

Edhe pse teknologjia e mjekimit po përparon,  shkalla e rasteve nga kjo sëmundje në vend mbetet e ngjashme me vitin e kaluar.

“Incidenca e kancerit të gjirit në vitin 2025 është e njëjtë me vitin 2024, për periudhën e parë nëntëmujore. Sipas llogaritjeve paraprake, janë regjistruar rreth 320 deri në 330 raste – një shifër pothuajse identike me vitin e kaluar”, sqaroi Kurtishi.

Albanian Post ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për të mësuar më shumë rreth politikave të ndërgjegjësimit dhe programeve parandaluese, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), me rastin e këtij muaji, rikujton se kanceri i gjirit prek miliona jetë dhe se sfida kryesore mbetet qasja e barabartë në trajtim. “Every Story is Unique, Every Journey Matters” është tema e këtij viti, që synon të nderojë rrugëtimin e çdo pacienti dhe të theksojë se mbështetja, depistimi dhe trajtimi nuk duhet të jenë privilegj, por e drejtë universale.

Fushatat ndërkombëtare në tetor synojnë jo vetëm mbledhjen e fondeve për kërkime, por edhe promovimin e vetëkontrollit dhe kujdesit shëndetësor në komunitet – hapa të thjeshtë që mund të shpëtojnë jetë.

Muaji tetor shënon fushatën ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, një iniciativë globale që synon të promovojë zbulimin e hershëm dhe të ulë rrezikun nga kjo sëmundje, e cila prek mbi 2.3 milionë gra në mbarë botën.

OBSh e ka cilësuar këtë tetor si një periudhë për të rritur ndërgjegjësimin, për të nderuar miliona jetë të prekura dhe për të riafirmuar angazhimin global për qasje të barabartë në kujdes shëndetësor dhe përmirësim të mbijetesës.

Me moton e këtij viti – “Every Story is Unique, Every Journey Matters” – theksohet se çdo rrugëtim është i rëndësishëm dhe se çdo histori ka vlerë.

Të ngjashme

Të fundit