-2.8 C
New York
Friday, January 24, 2025

Buy now

Kosova nuk ka qenë vetëm as nuk është, ata që ngulin gozhda në ujë janë vetëm!

- Advertisement -

Shkruan: Skënder Berisha

Këto orë e ditë, do të rikonfirmohet edhe një herë se Amerika asnjë herë nuk ka qenë spektatore e proceseve që lidhen me Kosovën, jo sot, por që nga koha e zezonës, apo e “Aksionit të armëve” e deri më sot.

Për të painformuarit sot, ashtu siç disa ishin edhe dje, duke konsideruar se bashkësia ndërkombëtare është tejet “e ngathët” dhe moskokëçarëse ndaj çështjes së drejtë shqiptare, do të konfirmohet e kundërta. Do të provohet edhe një herë se blloqet e themeleve të pavarësisë së Kosovës, pa arkitektët përtej Atlantikut, nuk do të ishte e mundur të vendoseshin drejtë e në vendin e duhur.

Janë këto ditë kur do të dëshmohet se amerikanët e kanë lexuar Kushtetutën më mirë se Qeveria jonë aktuale, se janë në dijeni për të gjitha detajet kuptimore e simbolike të marrëveshjeve të deritashme. Për fat të keq, do ta kenë qartësinë më theksuar se Qeveria jonë.

Mjerisht, brenda botës tonë, ende gjëllin devijimi i qëllimshëm nga e vërteta, për të arriturat dhe synimet e derisotme të kontribuuesve për shtet e shtetësi. Ishte propagandë arrogante e ushqyer nga qarqe të dekonspiruara, nga e majta ekstreme e deri te OJQ-të që merren me energjinë. U arrit një dekonspirim edhe për ata që u zotuan për transparencë, shkaktuan mungesën e plotë të saj rreth Marrëveshjeve përfundimtare. Ngjau demaskim në kufij grotesk.

Aq më keq, interpretimet qëllimkëqija për marrëveshjet e deritashme të Republikës së Kosovës, bëhen sikur ato janë krijuar dhe realizuar pa dorën e krahun e miqve tanë historik. Kjo mungesë e arsyes për të ardhur në këtë konkludim, lëndon fortë angazhimin diplomatik të ecjes së Kosovës krah aleatëve tanë, Amerikës dhe BE-së.

Jo! Kosova, deri këtu nuk ka ecur e vetme, as udhëheqësit e saj kurrë nuk ishin as frikacak, as të mashtruar, as të shantazhuar, as të servilosur, as disponojnë epitetet tjera të shpifura opozitare. Sot, po konfirmohet krejt e kundërta, u konfirmua edhe me marrëveshjen për energjinë.

Do të dëshmohet se me marrëveshjet e deritashme, është maksimumi i arritjeve që kemi mundur të marrim brenda rrethanave në ballafaqimin diplomatik të ndarjes përfundimtare nga Serbia. Tërë kjo, është arritje përtej broçkullave dhe pozave të politikës ditore.

Prandaj, marrëveshjet që e presin Qeverinë e Kosovës, nuk duhet parë si “lëshim i flamurit” ashtu sikur byryteshin rrugëve me Hosanna Barabba, alla lla. Këtu, në mesin tonë, është aleati ynë dhe makineria tjetër që e disponon gardiani i lirisë globale, me darët për kleçkat më të imta dhe arrat më të forta. Edhe nëse dikush do të ketë qejf ta “lëshoj flamurin”, nuk do të mund ta bëj.

Legjendat që me përkushtimin e paimagjinueshëm e sollën Kosovën deri këtu, gjithsesi, janë më me peshë pa praninë e tyre fizike se fjalamanët që ngulnin dhe vazhdojnë të ngulin gozhda në ujë, larg realitetit të ndërtuar po me këta aleatë, duke e bërë Kosovën storje suksesi.

Premtimet e heroizmave të vonuar, janë ushqim i parapëlqyer i çdo lloj ujemi politik, por, megjithatë nuk do të guxojnë ta “lëshojnë flamurin”. “Lëshimi i flamurit” nuk është rasti kur në krah kemi Amerikën. Kjo nuk ka ngjarë as në frontin e hapur me fillimin e demokracisë, as kur ishim buzë rrezikut të ekzistencës tonë kolektive, as nga frontet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, Kosova, nuk ka qenë vetëm, as nuk është. Ata që ngulin gozhda në ujë janë vetëm.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit