Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë se e kanë mirëpritur vendimin e presidentes Vjosa Osmani, e cila ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Ai ka thënë për Ekonomia Online se ky ligj është dashur që të kthehet në rishqyrtim shumë më herët, pasi sipas tij në këtë ligj ka edhe shumë shkelje të tjera.
Kaçaniku ka thënë se Kosova nuk i respekton direktivat e Bashkimit Evropian sa i përketë konsumatorit e që janë mbrojtja dhe shëndeti.
“Unë e falënderoj presidenten se më në fund është një reagim i cili dëshmon se dikush e njeh qytetarin konsumator dhe kauzën e konsumatorit. A ka qenë dashtë të bëhet më herët? Po. A ka pika të tjera që duhet të diskutohen? Po. A është kjo e vetmja shkelje e Kushtetutës? Jo. Do të thotë ne nga shumë të tjerë shfrytëzohemi për eksportim, për diskriminim, për zhvatje, për mbajtjen e duarve në xhepat tanë. Me direktivën e Bashkimit Evropian, thuhet narracioni “Mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit”, në Kosovë kjo nuk ndodh. Kur kemi diskriminime të tilla automatikisht kemi edhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut në trajtën e njeriut qytetar-konsumator”, tha ai.
Kaçaniku ka thënë se nuk kemi të drejta themelore të njeriut në rastin e qytetarit-konsumator, dhe këtë e quan shumë brengosëse.
“Ne nuk përfillemi fare edhe partitë politike, edhe pulitkan kur bëjnë zhurmën në Parlament e bëjnë zhurmë vetëm për karriget e tyre, e përdorin emrin e konsumatorit, por në të vërtet nuk merren me të drejtat e tij”, ka thënë ai.
Kaçaniku po ashtu kritikoi edhe tarifimin për qeset plastike, duke e cilësuar atë si një akt diskriminues që bie në kurriz të qytetarëve.
“Qeset nuk e dëshmojnë funksionin e mbrojtjes së mjedisit, është edhe një akt diskriminues i qytetarit konsumator. Sepse qytetari konsumator si taksa-pagues ai parapaguan për t’i përmbushur të drejtat e veta dhe obligimet e veta dhe në aspektin fiskal. Por, ja që kur është fjala për qeset, prodhuesi që prodhon qesen nuk paguan, tregtari që e shet qesen nuk paguanë, por paguan qytetari konsumator i cili nuk ka lidhje me atë qese. Ne zhvatemi, diskriminohemi në mënyrë shumë legale, shumë perfide dhe as kush deri më sot nuk e ka parë këtë”, ka thënë ai.
Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se arsyet që kanë çuar në kthimin e Ligjit te Kuvendi, kanë të bëjnë me nenin 17, paragrafin 4 të Ligjit të miratuar, i cili pamundëson realizimin e qëllimit të synuar të Ligjit në raport me mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit të konsumatorit.
“Kjo sepse i njëjti cenon mundësinë e zbatimit të obligimeve kushtetuese të institucioneve në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pasi që kufizon aplikimin e masave të tjera, siç mund të ishte kalimi në paketimin më të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Arsye tjetër që përmendet është se e njëjta dispozitë e kufizon Qeverinë dhe Ministrinë e Mjedisit që të ndërmarrin masa alternative që mund të lejojnë përdorimin e materialeve më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, siç janë qeset e letrës (eco-friendly) apo materialet tjera të biodegradueshme.
Sipas Presidentes, Ligji bie në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 7 dhe nenin 52 (3) të Kushtetutës dhe në anën tjetër krijon kolizion ligjor me Ligjin përkatës për mbeturina. Përveç që është në kundërshtim me Kushtetutën, neni 17 (4) i Ligjit të miratuar është në konflikt me legjislacionin ekzistues, konkretisht Ligjin për Mbeturinat, i cili sipas Presidentes përcakton procedurat dhe masat për menaxhimin e ambalazhit dhe paketimit, përfshirë masat për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike.
“Ky ligj, në nenin 11, paragrafin 2 të tij, e ka mandatuar Qeverinë e Republikës së Kosovës me kompetencë për të nxjerrë akt nënligjor me të cilin përcakton kushtet, procedurat dhe detyrimet për prodhuesit dhe importuesit, duke krijuar mundësinë për të përcaktuar sisteme të tjera për menaxhimin e mbetjeve plastike, përfshirë një sistem të rimbursimit të depozitës”, thuhet në arsyetimin e Presidentes.
Sipas saj, përfshirja e dispozitave të detajuara mbi qeset plastike në një ligj primar, siç është Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, krijon disa kufizime praktike dhe strukturore.
“Ligji primar ka një proces më të gjatë dhe më të komplikuar për ndryshimin dhe plotësim, krahasuar me një udhëzim administrativ. Si rezultat, Ligji përkatës për Mbeturina, ka paraparë mundësinë e nxjerrjes së aktit nënligjor, për të siguruar një mekanizëm të përditësimit të rregullave, sa herë që të jetë e nevojshme”, thuhet më tutje në këtë vendim.
Lidhur me kthimin e këtij Ligji në rishqyrtim, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Kuvendin e Kosovës për të kuptuar edhe se çfarë veprime janë ndërmarrë nga ky institucion pas pranimit të shkresave si dhe ka kontaktuar zyrtarët e Kuvendit, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi nuk kemi marrë përgjigje.