Kombëtarja e Kosovës ka nisur sot stërvitjet për ndeshjet jetike të muajit nëntor, që luhen në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2026.
“Dardanët” sonte ia kanë ‘mësy’ stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për të zhvilluar stërvitjen e parë të këtij grumbullimi.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj stërvitje, të pranishëm ishin vetëm dhjetë lojtarë, teksa ata që luajtën në fundjavë, kanë pasur rigjenerim në hotel.
Kosova do të luajë dy ndeshje të mëdha gjatë këtij muaji.
Fillimisht, “Dardanët” do t’i shkojnë Sllovenisë më 15 nëntor, teksa tri ditë më vonë do të luajnë ndaj Zvicrës në Prishtinë.
Kosova është e dyta në grup me shtatë pikë, ndërsa Zvicra është e para me dhjetë pikë.
Sllovenia është e treta me tri pikë, derisa Suedia është e katërta në grup me vetëm një pikë.
Me një pikë të fituar në Ljubjanë, Kosova e siguron play-offin e Botërorit.






