Në Prishtinë u hap Konferenca Ndërkombëtare e Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini (EYCA), organizuar nga Ministriae e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, në bashkëpunim me Shoqatën Evropiane të Kartës Rinore (EYCA),.
Në ditën e parë të kësaj konference dyditore kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se është nder që kjo konferencë po mbahet për herë të parë në shtetin tonë.
“EYCA ka një mision frymëzues: të forcojë të rinjtë përmes mundësive të vërteta për lëvizje, përvojë dhe përfshirje sociale. “Shoqata Evropiane e Kartës për Rini nuk është vetëm një kartë që ofron zbritje – por është një mjet për mobilitet, arsim dhe pjesëmarrje aktive, i bazuar mbi një ide të fuqishme: që të rinjtë të kenë mundësi reale, jo vetëm premtime”, tha Kurti.
Në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini, në kryeqytetin e Kosovës janë mbledhur mbi 100 pjesëmarrës nga 37 shtete.
“Përmes kësaj konference, ne po forcojmë bashkëpunimin midis institucioneve, organizatave dhe aktorëve që kanë ndikim në jetën e të rinjve, duke diskutuar shumë ide të reja, shkëmbyer praktikat më të mira dhe frymëzuar njëri tjetrin për hartimin e politikave më të drejta edhe më të ndjeshme ndaj të rinjve”, tha Kurti.
Kosova u bë zyrtarisht anëtare në EYCA në dhjetor të vitit 2023. Në gjashtë muajt e parë të anëtarësimit të Kosovës në EYCA, gati 8 mijë të rinj janë regjistruar si anëtarë të programit dhe 18 biznese janë përfshirë si partnere të programit. Përmes kësaj karte, të rinjtë tanë mund të përfitojnë zbritje në transport, arsim, kulturë, sport, akomodim dhe shumë shërbime të tjera, në mbi 35 vende evropiane, me më shumë se 70,000 përfitime të ndryshme.