Janë dy prej sulmeve më të rënda që shefja e diplomacisë së Kosovës ia ka bërë BE-së, ku vendi synon të anëtarësohet dikur.
Shkojmë në korrikun e vitit që lam pas. Ministrja e Jashtme ishte ftuar të merrte pjesë në një panel diskutimi në Forumin e Dubrovnikut. Aty, ndodhej me dy figura të larta të diplomacisë evropiane dhe asaj amerikane, Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar.
Para këtij të parit, ajo kishte vendosur t’i thoshte disa fjalë të rënda për Bashkimin Evropian, të cilat do të komentoheshin për disa ditë rresht në vendin tonë.
“Tigër prej letre” e kishte cilësuar ajo Bashkimin Evropian pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pa NATO-n.
“…unë vlerësoj që BE-ja nuk mund (të garantojë paqe), dhe njëjtë ka thënë edhe një analist gjerman para disa ditësh, sepse nuk është e aftë të ofrojë siguri, arsyet dihen. Nuk ka vullnet politik, ka shumë jounitet në bllok, dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letër kur vjen puna te siguria.” – ishte shprehur ajo.
Natyrisht, duke qenë në një panel me emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak, përgjigja e këtij të fundit nuk vonoi shumë. Me të marrë fjalën, ai i ishte kundërpërgjigjur Gërvallës, duke ia rikujtuar se Kosova synon të bëhet anëtare e BE-së, transmeton Nacionale.
“Nuk ka një union tjetër të shteteve në këtë planet, që ka bërë stabilitet politik, ekonomik më të mirë…Kështu që, unë mendoj që bashkimi në BE është një ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e BE-së.” – kishte thënë ai.
Lajçaku, dështak?
Punën e Lajçakut, Gërvalla tash në janar 2024 e konsideroi si të dështuar. Ndoshta kjo mund të jetë hera e parë që personi që drejton institucionin që promovon vendin jashtë, sulmon dikë nga jashtë, madje një përfaqësues të partnerëve të vendit.
Në një intervistë të dhënë të enjten për “RTK”-në, Gërvalla u shpreh se emisari Lajçak nuk ka strategji apo vizion për dialog, e madje, foli edhe për largimin e tij nga kjo pozitë.
Duke përmendur më pas sulmin e Bajnskës, ajo vlerësoi se kjo ngjarje është “dëshmia më e mirë”që emisari evropian “e ka dështuar dialogun”.
“Ai ka hyrë pa strategji dhe pa vizion në këtë proces të dialogut dhe si duket, i tillë do të largohet nga ky dialog kur t’i skadon mandati…Banjska është dëshmia më e mirë që Lajçaku e ka dështuar gjithë procesin e dialogut.” – deklaroi Gërvalla.
As këtë herë, nuk vonoi shumë përgjigja e Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë qse“deklaratat e përhershme kritike të paargumentuara kundër BE-së dhe përfaqësuesve të saj thjesht nuk janë të pranueshme”.
“Është absurde të flitet për mungesë vizioni, strategjie dhe rezultatesh të procesit të lehtësuar nga BE-ja në një situatë kur BE-ja dhe SHBA -ja propozuan Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit, për të cilën ranë dakord edhe kryeministri Kurti edhe presidenti Vuçiq, dhe që ofron një platformë të qartë për rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” – u shpreh Stano për “Telegrafin”.