Zotëria i Parë Prindon Sadriu mori pjesë në Samitin inaugurues të Koalicionit botëror “Fostering the Future Together”, me ftesë të Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump.
Ngjarja kryesore u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë, ku Kosova, e përfaqësuar nga Zotëria i Parë, z. Sadriu, ishte ndër 8 vendet e vetme të përzgjedhura për të mbajtur fjalimin kryesor të rastit, nga 45 vende pjesëmarrëse. Në fjalimin e tij, ndër të tjera, z. Sadriu falenderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen vendimtare ndaj Kosovës, si dhe theksoi përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve përmes edukimit, inovacionit dhe teknologjisë, duke vendosur gjithmonë mbrojtjen e tyre në qendër të zhvillimit digjital.
Në dhjetor 2025, me iniciativë të Presidentes Vjosa Osmani, Presidentja dhe Zotëria i Parë, njoftuan zyrtarisht vendimin e Kosovës për t’u bashkuar me koalicionin global “Fostering the Future Together”.
Samiti dyditor filloi me takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku Zotëri Sadriu u takua me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Zv. Sekretarin e Shtetit, Christopher Landau, dhe zhvilloi biseda me përfaqësues të kompanive kryesore të teknologjisë si OpenAI, Microsoft, Google, Meta, xAI, Palantir, Adobe dhe Zoom Communications.
Diskutimet u fokusuan mbi mënyrat se si Kosova mund të përfitojë nga këto platforma dhe shërbime për të mbështetur edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Samit tregon jo vetëm vlerësimin ndërkombëtar për vendin tonë, por edhe përkushtimin e Kosovës, si dhe të Presidentes Vjosa Osmani, për të siguruar mundësi reale digjitale dhe edukative për brezin e ri. Ky është një moment historik, që konfirmon Kosovën si një partner aktiv dhe i besueshëm në nismat globale për të ardhmen e fëmijëve.






