Shkruan: Mero Baze
Të enjten në mesditë përfundon dhe afati kushtetues i zgjedhjes së Presidentit, dhe normalisht Vjosa Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e reja, pasi duket qartë se Albin Kurti nuk do të japë konsensus për një president që nuk është i tij.
Zgjedhjet e reja nuk prodhojnë asgjë të re, përveç faktit që mbajnë në pushtet Albin Kurtin pa qeverisur dhe mund të rrisin ose pakësojnë votat e tij të mjaftueshme për të shkuar sërish pas disa muajsh në zgjedhje të reja.
Kohën e zgjedhjeve e ka zakonisht ose për Vitin e Ri ose në verë në gusht, kur vijnë emigrantët nga jashtë për ta votuar. Deri atëherë nuk qeveris, por shan opozitën që nuk ia jep atij të gjithë pushtetin, duke vazhduar teorinë e revolucionit permanent të Trockit.
Teoria e revolucionit permanent, që mban autorësinë e Trockit, nënkuptonte marrjen e pushtetit me metodë demokratike dhe pastaj thellimin e revolucionit përmes masave socialiste pa ndërprerje deri në triumfin e plotë të pushtetit të popullit.
Natyrisht nuk është e gjithë përgjegjësia e Albin Kurtit. Opozita në Kosovë ka përgjegjësinë e saj për këtë situatë pasi ata nga ana e tyre nuk patën kurajon të dalin me një emër të tyre për president për t’ia bërë fakt të kryer Albin Kurtit përgjegjësinë për mosdhënien e konsensusit. E kuptoj që shumë prej tyre nuk e gëlltisin dot Vjosa Osmanin dhe raportet e këqija me të, por mund të mbanin një qëndrim ndaj saj dhe të propozonin dikë tjetër.
Kjo shkuarja në zgjedhje si skutha, pa asnjë betejë, pa hedhur asnjë pushkë për t’i dhënë vendit president është një turp i gjithë klasës politike dhe një triumf i ligësisë dhe ambicieve personale të Albin Kurtit për të mos qeverisur Kosovën, por për ta mbajtur atë në krizë të përhershme që të duket si shpëtimtar i saj.
Kjo situatë është një arsye e fortë për komunitetin ndërkombëtar ta shikojë me pendesë atë që ka bërë për Kosovën dhe një argument më shumë për armiqtë e Kosovës që kanë pasur si argument të tyre mungesën e aftësisë shtetformuese të klasës politike në Kosovë.
Tani të enjten të gjitha palët do bëjnë sikur nuk e kanë mendjen dhe do të kërkojnë afat të ri kushtetues, duke u bërë të gjithë ekspertë kushtetues, por në fakt ata janë politikanë dhe duhet t’i jepnin vendit zgjidhje politike. Ata ose duhet të uleshin në tryezë dhe t’i jepnin vendit një president mbi palët, ose secila palë të bënte ofertën e vet politike për të marrë përgjegjësinë përse po shkonin në zgjedhje të pakrahasueshme përsëri.
Tani të gjithë po fusin Kosovën në zgjedhje pa dashur të bëhet askush përgjegjës. Albin Kurti nuk e do më Vjosa Osmanin, pasi ajo është shfaqur me një profil të lartë politik në raportet me Presidentin Trump dhe Bashkimin Evropian dhe e eklipson atë duke u bërë pikë referimi për Perëndimin në Kosovë. Për këtë shkak Albin Kurti më lehtë bën President Hashim Thaçin në Hagë se sa Vjosa Osmanin në Prishtinë. Madje në muret e Kosovës janë shfaqur grafite ku shfaqet Vjosa Osmani duke biseduar me Trumpin duke u etiketuar si dy terroristë.

Opozita e fragmentarizuar dhe e mbushur me udhëheqës që nuk e përfaqësojnë atë, bën pazare meskine me situatën, duke mos u ngritur në lartësinë e përgjegjësisë që duhet të ketë një opozitë që të jetë e dallueshme nga qeveria.
Në këto kushte vendi do të shkojë në mënyrë fatale në zgjedhje të reja, dhe Vjosa Osmani do jetë një aktore e re politike, e cila për herë të parë mund të provojë fuqinë e saj politike kundër LDK dhe LVV, me kostumin e të cilave ka ardhur deri këtu në politikë. Kurse Kosova do të provojë pafuqinë e saj për të qenë një demokraci funksionale dhe një shtet serioz.






