Sot po zhvillohet, për herë të parë, takimi online i Këshillit Ekonomiko-Social Evropian, ku Kosova merr pjesë përmes BSPK-së. Kjo nuk është thjesht një prani formale, por është një test serioz për mënyrën se si dialogu social trajtohet në Kosovë dhe sa realisht respektohet zëri i punëtorëve.
Për BSPK-në, ky këshill nuk mund dhe nuk duhet të mbetet një strukturë protokollare. Punëtorët në Kosovë nuk kanë nevojë për deklarata boshe, por kanë nevojë për paga dinjitoze, kanë nevojë për kontrata kolektive funksionale, kanë nevojë për siguri në vendin e punës dhe kanë nevojë zbatim real të ligjit të punës.
Çdo dialog që nuk prodhon vendime konkrete mbetet farsë institucionale.
Lufta kundër informalitetit, shkeljet sistematike të të drejtave të punëtorëve dhe neglizhenca institucionale nuk zgjidhen me retorikë, por me vullnet politik dhe përgjegjësi.
BSPK hyn në këtë mekanizëm evropian me vullnet bashkëpunimi, por edhe me qëndrim të qartë se dialog po, kompromis po, por kurrë në dëm të dinjitetit dhe të drejtave të punëtorëve.
Presim që pjesëmarrja e Kosovës në këtë këshill të mos shërbejë si dekor politik, por të shndërrohet në presion real për politika të drejta dhe të zbatueshme.
BSPK do të vazhdojë të jetë zëri kritik, i organizuar dhe i pakompromis i punëtorëve.






