Ruptura e rendit të vjetër botëror, formimi i Bordit të Paqes, në të cilin përfshihen Shqipëria dhe Kosova, flet për Agimin e Rendit të Ri Botëror që do të sqarojë gjeografitë e interesit multipolar.
Sipas Presidentit Trump, Bordi i Paqes mund të jetë edhe zëvendësim i OKB-së.
Shumësia e platformave multilaterale kërkon rikalibrim dhe navigim pragmatik të politikës së jashtme.
Në prag të anëtarësimit në BE, me futjen në Bordin e Paqes të udhëhequr nga Presidenti Trump, Shqipëria mund të jetë nën vëzhgim më të shtuar nga vendet anëtare të BE-së. Kritikat për veprim të ngutshëm nga ana e partnerëve evropianë, si Franca, Italia, Belgjika etj., mund të jenë reale. Me shpresë se ky veprim, edhe pse i matur nga kryeministri Rama, nuk do të ndikojë në rrugëtimin drejt integrimit në BE!
Është kjo frikë apo dilemë, ngase MAGA dhe Strategjia Nacionale e Sigurisë (NSS) së ShBA-së, por jo edhe Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për Vitin Fiskal 2026, nuk i kundrojnë me simpati organizatat multilaterale dhe ato ndërshtetërore. Më me dëshirë, dhe në përputhje me interesin “America First”, administrata Trump parasheh bashkëpunim me shtetet dhe jo aq me organizatat.
Përkujtojmë se ShBA është larguar nga 51 agjenci të OKB-së, përfshirë OBSh-në, dhe nga 53 organizata të tjera, siç është Komisioni i Venecias si paradhomë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Të gjitha qëndrimet e deritanishme të Presidentit Trump dhe të administratës së tij na bëjnë të mendojmë se, sipas tyre, BE është organizatë e paqëndrueshme, ndërsa në anën tjetër “Coalition of the Willing” (Koalicioni i të Vullnetshmëve) jo se dëshiron të ruajë rendin e vjetër botëror, por projekton një “multilateralizëm të reformuar”, një përfshirje të Global North me Global South në reformë dhe jo realizim të Doktrinës Monroe “Western Hemisphere”.
Doktrina Monroe, e paraparë në NSS, e trajton Evropën me shpotitje dhe, edhe pse Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për Vitin Fiskal 2026 flet për ndihmën për Ballkanin Perëndimor që të anëtarësohet në NATO dhe BE, në thelb një marrëveshje eventuale SHBA – Rusi, të cilën e paralajmëron ministri i Jashtëm rus, Lavrov, që do të ishte kompromis për arritjen e paqes në Ukrainë, Siri, Gaza dhe në Ballkan, do të krijonte ambient për realitete të tjera. Gjithnjë nën sfondin e ShBA-së dhe aleatëve rajonalë të saj, siç e parasheh “Balkan Peace Platform” e ministrit të Jashtëm turk Hakan Fidan apo “platforma e sigurisë dhe stabilitetit” e MPJ Yvette Cooper të Britanisë së Madhe në kuadër të Procesit të Berlinit apo samitit të Hillsborough Castle.
Duke e përcjellë agimin e Rendit të Ri në Davos dhe themelimin e Bordit të Paqes në Davos, atëherë politika e jashtme, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, edhe pse pozicionet e dy vendeve dallojnë diametralisht, do të duhej të rikalibrohej duke lundruar mbi parametrat realë.
Kosova do të duhej të shfrytëzojë platformën e Bordit të Paqes për njohje nga vendet anëtare të bordit që ende nuk e kanë njohur. Është e palogjikshme që vendet të jenë anëtare të një organizate ndërkombëtare dhe të mos e njohin njëra-tjetrën. Andaj, angazhimi për paqe nënkupton bashkëpunim dhe njohje të vlerave të vendeve.
Për këtë, besoj se Shqipëria do të duhej ta vendoste këtë angazhim si prioritet të lartë në listën e prioriteteve.
Duke mos i ditur arsyet pse Serbia nuk është ftuar në Bordin e Paqes të udhëhequr nga Presidenti Trump, prezenca eventuale e saj në këtë platformë do të mund të shfrytëzohej që dokumenti i “mars–prill”, i paralajmëruar se do të kurorëzojë (mos)marrëveshjen Kosovë – Serbi.
Ndërkohë, negociatat teknike (për të pagjeturit), edhe pse pa legjitimitet dhe legalitet të palës kosovare, nën lehtësimin e ndërmjetësuesit të BE-së, Sorensen, po vazhdojnë!
Bordi i Paqes riafirmon Kosovën si shtet dhe e rikthen si të tillë në hartën botërore, pas imazhit të dëmtuar në pesë vitet e fundit.
Rinumërimi i votave për shkak të tjetërsimit të vullnetit qytetar prek integritetin e votës dhe vë në dyshim kredibilitetin e procesit zgjedhor, duke rrezikuar tejzgjatjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.






